Categories
Milan

Ringjallja e mesfushës

Më në fund një fitore. Edhe pse minimale është mjaft domethënëse për një ringjallje rezultatesh të Milanit. Rezultati nuk ishte diçka më ndryshe se të gjitha ndeshjet në terminin e orës 6 pasdite të shtunave. Shumica e ndeshjeve përfundojnë pa gola ose me një gol të shënuar. Sidoqoftë faji për këtë rezultat nuk është tek bestytnia apo tek termini, por te efikasiteti i dobët në minutat e fundit të ndeshjes.

Shenjat e para të një rezultati pozitiv u vërejtën qysh në minutat e para të ndeshjes. Arsye ishte një mesfushë aktive. Gatuzo dhe Boateng vraponin pa ndërprerë, ndërsa Pirlo qarkullonte topin mjaft shpesh. Problemi ishte lidhja me sulmin që në ato çaste ishte më pak aktiv. Ronaldinjos nuk po i dhezin më ato truqet e vjetra, si dhe ka patur nja dy harkime të pamenduara, sidomos kur harkonte për Robinjon shtatshkurtër në mes të dy lojtarëve ndërsa Ibra ishte i lirë në anën e majtë. Ndoshta kanë provuar të fusin në ritëm Robinjon i cili ishte i shkëlqyeshëm kur luajtëm me formacion 4-4-2, pas largimit të Ronaldinjos. U pa qartë se Robinjo është shumë më i mirë si sulmues në hije, menjëherë prapa sulmuesit kryesor, se si sulmues anësorë. Vuajtëm aty ku duhet të jemi më të fortë, në krahë, sidomos në atë të djathtin. E vetmja arsye për angazhimin e Abates në këtë ndeshje është pushimi për Zambrotan para ndeshjes me Ajaksin.

Abiati nuk ishte i keq, edhe pse ka mundur të shënonte një autogol spektakular. Amelia është shumë më i mirë se ai, dhe mezi pres që Abiati të “shkëlqejë” pasi që nuk garanton siguri. Megjithatë ishte më i vëmendshëm në goditjet nga jashtë zone, në krahasim me ndeshjen ndaj Katanias, ku për shkak të pozicionimit të dobët, thjesht shetitej lirshëm pak momente para se të pranonte golin,

Abate nuk është për mbrojtës të djathtë. Ndoshta për mesfushor, por një vend që i garanton sukses, sigurisht është banka rezervë. Në fund të ndeshjes Boateng vraponte pas topit tek korneri i Gjenovas së bashku me Robinjon, ndërsa Abate shikonte i hutuar. Futbollistët duhet të angazhohen 90 minuta, ashtu siç u angazhuan Boateng dhe Robinjo.

Antonini po ka depërtime të mira, por po vuan në mbrojte, nuk po arrin të kthehet në kohë, dhe po krijon hapësirë për kundër sulme të mysafirëve. Po të jetë Gatuzo më i kujdesshëm, apo të angazhohet Pirlo në mbrojte (që nuk po e bën) atëherë mund të mbulohen edhe ato depërtime të Antoninit. Por, sidoqoftë Antonini duhet të jetë ai që duhet të vrapojë më shumë.

Qendërmbrojta ishte në nivel. Larguan disa topa mjaft të rrezikshëm, dhe janë më meritorët për mossuksesin e Luka Tonit. Sidomos Nesta ka larguar disa topa të lartë me mjaft sukses.

Pirlo më në fund ka filluar të bëj gjëra të mençura. Ai asistimi funksionoi vetëm pse ishte Ibrahimoviç, i gjatë dhe këmbëmadh. Sidoqoftë mua më ka pëlqyer loja e tij më shumë në pjesëlojën e parë, kur vërtetë angazhohej. Kërkonte topin, e merrte, pasonte, e lëvizte topin duke bërë qarkullimin e topit, dhe ngjallte skuadrën duke futur të gjithë lojtarët në ritëm, në lojë. E pikërisht kjo është detyra që duhet ta bëjë, dhe i lumtë për këtë. Edhe asistimi ishte diçka shumë pozitive, edhe si shumë pasime tjera që tani shkonin drejt sulmit, dhe nuk prisnin Antoninin apo Abaten (pff Abate). Shpresoj të jetë kjo një zgjuarje për Pirlon, dhe tani e tutje të funksionojë ashtu si me Gjenovan. Pak ma mirë, s’do të ishte më keq.

Gatuzo po tregon dëshirë për lojë, angazhim. Po vrapon dhe po bën atë që duhet, është mirë që nuk po gjuan shumë, dhe po koncentrohet në pasime të shkurtëra. Boateng është ai i forti, ai i shpejti, dhe i qëndrueshmi. Është lojtari më i mirë në skuadër, pasi po bën të gjitha që duhet ti bëj një lojtar mesfushor si ai. E ke në mesfushë, e ke në sulm, e ke në mbrojtje, e edhe në vijën e portës (gjatë rivënieve nga këndi). Ky lojtar është një ndër shtyllat e Milanit.

Ronaldinjo ka qenë pak egoist dje, dhe ndoshta jo në formë, por megjithatë po bën punën si është më së miri. Si do që të jetë ai është Ronaldinjo, mjafton t’ia japësh topin, dhe të shikosh se çfarë po bën. Është e vërtetë që mungoi kreativiteti dje, gjithashtu nuk funksionuan shumë pasime e harkime, por prania e tij në fushë mjafton të prish përqëndrimin e mbrojtjes kundërshtare.

Ibra po shënon. Kjo është puna e tij dhe nuk nevojitet asgjë më shumë. Por, ai po bën më shumë. Sidomos dje është kthyer në mbrojtje, ka qenë aktiv në pasime, ka bashkëpunuar me mesfushën, dhe ka lëvizur nëpër fushë. Ky është Ibra i vërtetë dhe po funksionon për mrekulli deri sot.

Robinjo më në fund pati 90 minutëshin e tij. Dhe ishte fantastik! Ndoshta në pjesëlojën e parë nuk u tregua aq shumë, por në të dytën sidomos pas largimit të Ronaldinjos, ishte më i miri në fushë. Vraponte, bashkëpunonte me mesfushë, krijonte pozicione. E vetmja gjë, që mund të konsiderohet negative, mund të jetë përgatitja e tij fizike. Unë e mbaj mend këtë lojtar shumë më të shpejtë, më eksploziv. Por, edhe kundër Gjenovas ishte mjaft i mirë. Shumë më mirë funksionoi si sulmues në hije, kur luante në tandem vetëm me Ibrën, pas largimit të Ronaldinjos. Mëkat që nuk shënoi.

Sedorf shkëlqen për 20 minuta. Është plakur vërtetë, por kur luan në rolin e tij natyral, mesfushor ofanziv, për ata 20 minuta shkëlqen. Për atë kohë sa luajti ishte i shkëlqyeshëm. Kjo ishte sepse nuk duhej të ishte mesfushor anësor, që e shtynte të vraponte më shumë dhe të angazhohej në defanzivë.

Flamini ka mundur të shënojë dy golat e parë në kampionat. Vitin e kaluar ka shënuar një gol fantastik në kupë ndaj Novaras. Edhe pse nuk shënoi, ai ishte i mrekullueshëm në pozitën e tij. I shpejtë, depërtonte, dhe thjeshtë funksiononte në ofanzivë si është më së miri, pos tek gjuajtjet në portë.

Me një fjalë mesfusha ka qenë fantastike mbrëmë. Dhe krejt kjo falë trajnerit Allegri. Ka bërë punë shumë të mençur, pos me Abaten. Megjithatë nëse ka futur Abaten për të pushuar Zambrotan, kjo e bën plotësisht të mençur. Ka vendosur dy mesfushorë defanziv, mjaft të fuqishëm në krah të Pirlos, ka ndryshuar kahjen e pasimeve të Pirlos, që më shumë bashkëpunonte me sulmuesit. Anësorët bashkëpunonim më shumë me sulmuesit anësorë, ndërsa mbuloheshin nga Gatuzo dhe Boateng. Vendimi më i mirë ka qenë mos aktivizimi i Sedorf në krah të Pirlos. Perfekte ka qenë ndryshimi i formacionit në 4-4-2 (4-3-1-1), me aktivizimin e Sedorfit. Kjo futi Sedorfin si lidhës, duke pushuar Pirlon që u angazhua më shumë në defanzivë, ndërsa Robinjo u kthye si gjysëmsulmues. Largimi i Gatuzos të lodhur, dhe angazhimi i Flaminit të freskët ishte veprim i mrekullueshëm.

Nota më e madhe i shkon Allegrit.