Categories
TV Reviews

Roadkill – Sezoni 1

E kam përmendur shumë herë që një gjë e mirë për dramat britanike është që nuk zgjasin më shumë se gjashtë episode për sezon. Edhe një avantazh tjetër është që të gjitha episodet tashti po publikohen menjëherë, sikur ishte rasti me Roadkill.

Roadkill duket një dramë politike e zakonshme për televizionet në ishull.

Në qendër ka një politikan të korruptuar, i cili vetëm vazhdon të luaj rolin e tij në skenarin në të cilën është përfshirë.

Ai është akuzuar nga një gazetë që ka keqpërdorur pozitën dhe influencën e tij politike, ndaj të cilës gazetë ka fituar gjyqin, por me dëshmi të dyshimta. Nga këtu nis rrëfimi i kësaj ngjarjeje, e cila vetëm sa shkon duke u bërë më e errët.

Hugh Laurie, në rolin e karakterit kryesor, vjen si një politikan jeta e të cilit është e korruptuar nga ajo private deri tek profesionalja. Të bijat i ka me probleme ‘adoleshente’, ka një lidhje jashtëmartesore, derisa gruaja vuan nga PTSD, e ndërkohë në horizont shfaqet edhe një fëmijë që pretendon se është i tiji nga një lidhje para shumë viteve.

Lëmsh!

Në të njëjtën kohë kemi situatën e gazetares dhe gazetës të cilët vazhdojnë të kërkojnë nyjat të cilat nuk i kanë vërejtur më parë, ato të cilat u kanë shkaktuar humbje të procesit gjyqësor dhe një dëmshpërblim goxha të madh.

Më ka pëlqyer edhe fotografia e zymtë, tipike për një dramë të vendosur në ishull, dhe kolona zanore, e cila përshtatet me ngjarjet që ndodhin.

Është një triler që nuk dëshpëron, por edhe nuk ofron shumë zgjidhje të krejt temave. Prandaj, më duket më shumë si një prolog për sezonin e dytë a më shumë, se sa një mini-seri me fund.

Nuk është një ‘House of Cards’, pasi karakteri kryesor nuk është aq skizofren. Më shumë janë ata pas tij! Nota personale: 3/5