Categories
Filma

Rocketman (2019) – Recensim

Është e panevojshme të hedhim paralele ndërmjet dy filmave të ngjashëm – biografi artistësh; por, të leje mbresa pas ‘Bohemian Rhapsody’ do të duhej të ishe një film shumë mirë i realizuar. Edhe Rocketman është një film i tillë. I shkëlqyeshëm.

Dallimi i fundit është që tek Bohemian Rhapsody kemi të bëjmë me një finale të cilën e presim të gjithë, gjersa tek Rocketman kemi një shpërndarje të historisë nëpër shumë faza e momente finale. E njëjtë sikur jeta e Elton John, edhe filmi është më ‘përtokë,’ diçka që sigurisht se lehtëson peshën e realizimit në dyja anët e kamerës.

Taron Egerton vjen në rolin e ikonës muzikore britanike, jeta e të cilit portretizohet që nga mosha fëmijërore dhe njohja e tij me muzikën. Kjo pjesë është ndër më të mirat, e cila lidhet përkryer me historinë e filmit, duke bërë të njëjtën edhe për shikuesin. Richard Madden (Rob Stark) vjen në rolin e agjentit të tij, gjersa Jamie Bell në rolin e bashkëpunëtorit të tij. Por, ajo që bie në sy për aktrimin e shkëlqyeshëm të nënës së Elton John, është Bryce Dallas Howard e cila kap momentin në periudha të ndryshme të jetës së karakterit të saj. Megjithatë, të gjithë mbeten në prapavijë të aktrimit të Taron Egerton. Është i mahnitshëm, që nga momenti kur nis të rrëfejë historinë e tij tek grupi i anonimëve me probleme! Nuk ka të ndalur duke gjallëruar për mrekulli jetën e Elton John në secilën periudhë.

Skenari është goxha mirë i ndërtuar duke pasur një pikë nisjeje (rrëfimi i Elton) dhe vijat që hidhen sa direkt nga rrëfimi dhe zgjerohen gjithnjë në të vetmin drejtim. Për skenarin përgjegjës është Lee Hall, i njohur për Victoria & Abdul – një film goxha i lezetshëm; dhe War Horse i Spielbergut. As regjia nuk le për të dëshiruar, e realizuar nga Dexter Fletcher i cili do të na sjellë Sherlock Holmes 3 në vitin 2021, gjersa së fundmi na ka pruar rrëfimin e këndshëm për olimpikun britanik Eddie Edwards në ‘Eddie the Eagle,’ ku kishte bashkëpunuar pikërisht me Egerton.

Një biografi e këndshme, e denjë për karrierën e Elton John, e realizuar për merak. Nota personale: 5/5