Categories
Filma

Rope (1948) – Recensim

Sivjet është bërë paksa bujë me filmin ‘1917’, veçanërisht mënyrën e regjisë nga Sam Mendes. Ndonëse diçka të ngjashme shohim jo aq rrallë, si shembull i fundit ‘Birdman’ i Inarritus, unë dëshiroj të shkoj tek njëra ndër mjeshtëritë e gjeniut të regjisë, Alfred Hitchcock.

Dy studentë, Brandoni dhe Fillipi varin shokun e tyre, Dejvidin në apartamentin e tij në skenën e parë të filmit. Me të kryer këtë krim, ata fusin trupin e viktimës në një sënduk në dhomën e ndejës, para se të vazhdojnë me përgatitjen e ahengut. Mysafirë kryesor në këtë aheng janë babai i viktimës, e fejuara e tij, dhe mësuesi i tij, Ruperti.

Ky i fundit portretizohet nga James Stewart, me një aktrim të zakonshëm në rolin e hetuesit, dhe mbi të gjitha figurës së inspirimit për dyshen kriminale. Para përfshirjes së mysafirëve në skenë, kemi dialogë plot tension ndërmjet Brandonit dhe Fillipit, të portretizuar nga dy aktorë jo aq të njohur – John Dall e Farley Granger, por jashtëzakonisht të përshtatshëm për rolet e tyre si dyshe vrastare me pole të kundërta në qasjen ndaj kësaj të bëme.

Aktrimi është në nivel me skenarin që përbëhet nga dialogë të ndërthurur e plot ngazëllim të vazhdueshëm. E mbi të gjitha kemi regjinë me një lëvizje të pandërprerë të menaxhuar në mënyrë mjeshtërore nga Hitchcock.

Festa e një darke në një dhomë me një viktimë të fshehur nga mysafirët, nuk ka si të kalojë ndryshe pos me mbajtjen e shikuesit në qoshe të kolltukut fund e krye. ‘Rope’ është një film përplot art në realizim, i mbushur me tension dhe tmerr njëkohësisht. Personalisht mendoj që është një ndër kryeveprat e Hitchcockut dhe zhanrit të tij, që kësaj radhe paksa devijon aspektin teknik të realizimit, gjë që veç sa e ngujon në majën e listës së filmbërësve më të mirë në botën e filmit. Nota personale: 5/5