Categories
Journal

Rruga drejt Zotit!

Gjetja e rrugës për tek Zoti nuk ka qenë e lehtë.

Si çdo fillim, edhe fillimi i kuptimit më të gjerë të konceptit të Zotit, si vet jetës, universit, ekzistencës, nis në një kohë pasi një fëmijë ka mësuar themelet e shkrimit e leximit, të algjebrës, e proceseve themelore të natyrës që e rrethon.

Si në çdo lëmi të jetës, edhe në rrugën drejt Zotit, kemi mentor e udhëzues, mësues e predikues. Mësimet e tyre, këshillat e udhëzimet, gjithmonë duhet të merren parasysh në fazën e formimit të një njeriu, të pjekjes së një fëmije nëpër fazat e adoleshencës deri tek një i rritur i pavarur.

Pavarësia e një njeriu shihet më shumë si një pavarësi fizike e ekonomike, ndonëse do të duhej të ishte edhe një pavarësi shpirtërore e intelektuale. Dhe kjo do të duhej të vinte vetëm pas përpunimit së të gjitha njohurive që marrim nga të lartpërmendurit. E mbi të gjitha, kjo nuk duhet të jetë sikur një cak, pikë finale, kur mundemi të konsiderojmë se kemi arritur fundin e pjekjes dhe krijimit të një identiteti, përfshi edhe pikëpamjen tonë mbi Zotin.

Ngjashëm nuk do të duhej kurrë të mbyllnim kanalet për ushqimin e vetes sonë me njohuri për sa kohë që frymojmë. Rrjedhimisht, edhe pikëpamjet tona mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, me shtimin e njohurive, me ndryshimin e qasjes dhe përpunimin e atyre gjërave që tashmë dimë.

Megjithatë, duhet të kemi një filtër dhe një peshore, për të vendosur se çfarë gjërash duhet të lejojmë të na marrin kohën e kufizuar në këtë jetë, veçmas të mos jenë të përsëritura të cilat një herë veçse i kemi përjashtuar nga vetja jonë. Për ato që kalojnë filtrin, do të na nevojitet një peshore për të përcaktuar vlerën dhe dobinë e gjërave në të mirë të vetes sonë, dhe shoqërisë. Por mbi të gjitha, duhet të zgjedhim ato që na japin rehati e paqe shpirtërore, duke mos i prishur të njëjtën gjë asnjë njeriu, bime, apo kafshe tjetër!

Zoti, për mua, është burim i të mirës së pashtershme, është burim i dashurisë, i lumturisë, i paqes, që sjell rehati e paqe shpirtërore. Zoti, për mua, është për tu dashur, për tu falënderuar, për tu adhuruar, si pikënisje e botës metafizike.

Arritja e një pavarësie individuale është një sprovë e madhe stoicizmi. Do mund, sakrificë, lexim, dëgjim, e mbi të gjitha mendim. Kur të njohim veten, kur të gjejmë paqen e shpirtit e zemrës sonë, atëherë do të nisim të jetojmë vërtet. Atëherë do të shijojmë jetën.

Njohuritë, informatat, lajmet, mësimet, e gjithçka duhet t’i marrim nga jashtë. Por përfundimet, vendimet, zbulimin, mësimin duhet ta nxjerrim nga vetvetja. Këtu arrijmë kur gjejmë një pikë që kënaq kokën e zemrën, shpirtin.

Edhe rruga për tek Zoti është e këtillë.

Zoti, për mua, është i pazbërthyeshëm në anën metafizike, por është pjesa finale në zbërthimin e metafizikës.

Sigurisht që tjerët e shohin Zotin me pikëpamje më ndryshe, dikush edhe nuk e sheh fare ndoshta. Por, kjo është puna e tyre. Humbja apo fitimi i tyre.

Besimi im në Zot, nuk dëmton askënd, përkundrazi Zoti është frymëzim për të bërë të mira për komunitetin, si dhe mbrojtja e tyre nga e liga, dhe kjo vetëm kur kërkojnë e pranojnë ndihmën.

Ju mbetet atyre për të vendosur se çfarë është e mirë apo e keqe, çfarë është Zoti, e gjithçka tjetër. Gjithmonë, deri në atë pikën kur nuk më cenojnë mua apo dikujt tjetër mendimin e tyre. Sepse gjetja e një bashkëjetese mendimesh e idesh, besimesh, e individësh nuk është mision i vështirë, është kusht për të dashur Zotin.

Por ky mision do të ishte shumë i lehtë, nëse Zotin, rrugën për tek Zoti e kërkojmë përbrenda vet neve, e nuk e marrim si të shtruar nga jashtë! Nuk e marrim rrugën e dikujt tjetër!

Rrugën për tek Zoti e gjejmë në zemrën tonë!