IMDB Rejtingu: 7.3
Premiera e shfaqjes: 27 korrik 2012
Kohëzgjatja: 104 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të gjuhës për të rritur dhe narkotikëve
Zhanri: Fantazi, Komedi, Romancë
Regjia: Jonathan Dayton, Valerie Faris
Skenari: Zoe Kazan
Aktrojnë: Paul Dano, Zoe Kazan, Annette Bening, Antonio Banderas, Steve Coogan
Shtëpia filmike: Fox Searchlight
Ka kohë që kam pritur këtë film. Ka pasur një storie kreative, origjinale, derisa traileri ka qenë fenomenal. Më në fund arrita ta shoh dhe mund të them që ka arritur të plotësojë shumicën e pritjeve të mija.
Filmi ka gjithçka që e bën një vepër mjeshtërore. Pos kreativitetit të temës së filmit, realizimi është bërë në një mënyrë shumë të mirë. Kalimi nga skena në skenë është i përkryer, ngjashëm si këndet nga të cilat kapet ndodhia. Dialogu ndoshta mund të jetë më i mirë, ngjashëm edhe reflektimi i ngjyrave. Tek kjo e fundit do të përqendrohesha tek filmi me storie gati të ngjashme, Stranger than Fiction, ku më shumë dallohen skenat e shkruara në libër dhe ato në ngjarjen e vërtetë të filmit. Tek ky film kemi pasur ngjarje brenda ngjarjes së filmit, derisa tek Ruby Sparks kemi një kryqëzim të ngjarjeve, që e bën origjinal në vete përkrah lidhjeve të karaktereve.
Kalvini është një shkrimtar që ka arritur jehonë të madhe në rininë e tij. Megjithatë tani ai po përjeton një bllok shkrimtari duke vuajtur nga mungesa e aftësive sociale. i frymëzuar nga psikologu i tij të shkruaj diçka të keqe dhe nga një vajzë që paraqitet në ëndrrat e tij, ai nis të shkruaj për Rubyn, karakterin kryesor në librin e tij të ri. Me kalimin e kohës ai rigjen inspirimin dhe dashurinë për shkrimin derisa një mëngjes gjen karakterin e tij nga librat në kuzhinën e tij. Me frikën që do të përfundojë në çmendinë ai provon disa teste për të vërtetuar ekzistimin e Rubyt. Pos kësaj ai zbulon edhe diçka tjetër. Ai mund të bëj çfarë të dojë me karakterin e tij të librave, mjafton të shkruaj në makinën e shkrimit. Por, çfarë do të bënit sikur të kishit vajzën e ëndrrave tuaja që gjithnjë keni ëndërruar në jetën tuaj? Këtu nis pjesa kryesore e filmit që mbizotërohet më shumë nga një pjesë dramatike e romancës se sa nga pjesa komedike që mbizotëron në fillimet e filmit.
Paul Dano mund tu kujtohet nga ‘Little Miss Sunshine’. Edhe regjisori vjen nga po ai film, derisa skenari është realizuar nga Zoe Kazan, e cila debuton në këtë zeje me këtë film. Aktrimi është i shkëlqyeshëm edhe nga Dano edhe nga Kazan e cila luan rolin e Rubyt. Chris Messina është ndër karakteret ndihmëse me pjesë më të madhe në film, derisa emra si Anette Benning e Antonio Banderas i japin atë shijen e përvojës filmit.
Është një film mjaft interesant. Ka një temë shumë kreative, origjinale, të cilën ndoshta nuk e keni hasur më parë në filma, pos nëse jeni një ‘maniakë filmash’. Një romancë me komedi dhe dramë, e përkryer për ta shikuar si çift, apo me shoqërinë. S’dyshoj që do të ju pëlqej fansave të këtij lloj zhanri. Njëra ndër romancat më të mira të këtij viti. Ia vlen të harxhoni pothuajse dy orë për këtë film. E për fansat frankofon një shtesë është kolona zanore e filmit e cila kryesisht është në gjuhën frënge me disa këngë ritmike.
Ka disa skena që mund të ju irritojnë për shkak të ecurisë së ngjarjeve, por mendoj që pikërisht këto skena janë ato që i japin bukurinë këtë filmit.
Luan Morina
Kritik për TV&Film