Categories
Filma

Sabrina (1954) – Recensim

Kur ke tri nga yjet më të mëdha të kohës në Hollywood me Humphrey Bogart, Audrey Hepburn, e William Holden, sigurisht që nuk ke çfarë të presësh më pak se sa një kryevepër. Dhe kur këtë vepër ia jep një regjisori e skenaristi të quajtur Billy Wilder, s’mbetet asnjë dyshim për mrekullinë që do të ketë në vete. Dhe këtë e gjejmë tek ‘Sabrina’.

Një dramë e stilit të së përhiturës, ndjek karakterin e Audrey Hepburn, Sabrinën e cila është e bija e shoferit të një familjeje të pasur. Familja në fjalë është ajo që në gjirin e saj ka dy vëllezër me pole të kundërta – Llajnusin punëtor të zellshëm dhe serioz që jetësohet nga Humphrey Bogart, dhe Dejvidin si një lozonjar i pashëm i cili në mesin e shumë zemrave ka robëruar edhe atë të Sabrinës. Por, si në çdo film klasik të këtij stili, Dejvid ka syrin vetëm tek vajzat shumë të bukura, diçka që nuk sheh tek Sabrina. Zemërthyer, Sabrina largohet për në Paris për të mësuar zejen e një kuzhiniereje të shkëlqyeshme, por kthehet më shumë se vetëm me këtë profesion. E edukuar me atë që konsiderohet si kryeqendra e kulturës, frymën parisiene, Sabrina është pothuajse e panjohur në pamje të parë për të gjithë, përfshirë dhe Dejvidin, i cili tani ka ndërruar mendje. Por, a do të ketë Sabrina të njëjtat ndjenja ndaj tij?

Ndonëse mund të duket një temë klasike, dhe ndoshta e tepruar, gaboheni shumë nëse e anashkaloni, dhe rrjedhimisht humbni një aktrim të shkëlqyeshëm kolektivisht nga treshja e lartpërmendur dhe kasti dytësor. Por, mbi të gjitha tema është e ngjyrosur me skena komike të përshtatshme për një romancë të këtillë, të lustruara për mrekulli nga i madhi Billy Wilder. Është një botë filmike e përsosur, një kryevepër që mbetet ndër produktet më të mira që ka bërë Hollywoodi. Tema arrin të depërtojë thellë në personalitetet e karaktereve kryesore, pa u thelluar shumë në to falë komedisë dhe skenave me të qeshura që mbajnë një balancë të ëmbël.

Një film që për mrekulli kryqëzon romancën me komedinë. Nota personale: 5/5