Paul Giamattit i shkojnë për shtati këto rolet e një analisti/eksperti të prirë për të dhënë lajme të këqija. Edhe sikur të kishe vetëm një grip të thjeshtë, Giamatti mund ta bënte të dukej sikur të kanë mbetur edhe tri ditë jetë. Edhe atë vetëm me shprehjen e tij në fytyrë, pa folur asnjë fjalë.

Tek ‘San Andreas’ vjen në rolin e një seizmologu i cili arrin të parashikojë një seri tërmetesh që do të mund të ndanin një pjesë perëndimore të SHBA-ve. Giamatti zhvillon një ngjarje si më dytësore në krahasim me atë që propagandon filmi. E ngjarja kryesore është për një pilot shpëtimtarë që niset në një udhëtim të rrezikshëm me ish-gruan e tij për të shpëtuar të bijën e tyre. Ka shumë devijime nga ky tregim zyrtar.

Së pari, nuk niset për të shpëtuar të bijën, sepse e bija ka shpëtuar nga tërmeti dhe është e strehuar nga njerku i saj. E njerku si zakonisht del të jetë një bastard i cili ikën të shpëtoj kokën e vet. Piloti shpëtimtar, Ray që portretizohet nga Dwayne Johnson, kthehet nga Nevada ku ka goditur tërmeti i parafundit për të mësuar fatin e familjes së tij. Duke shëtitur nëpër qytet me helikopter sheh gruan e tij nga të gjithë personat e mundshëm. Pasi e shpëton, e merr me vete për tu nisur në kërkim të bijës së tyre, për të cilën mësojnë që është gjallë, dhe siç ceka edhe më lart, e braktisur nga i ati.

Carlton Cuse mund të shkruaj skenarë të mirë për seriale. Këtu humbet ritmi, nuk arrihet të gjendet ajo pika në mes të filmit dhe një episodi seriali. Në fakt i tërë tregimi do të mund të vendosej në një episod të vetëm, e jo të zgjaste 113 minuta. Është tepër i gjatë. Pastaj periudha para goditjes së tërmetit të madh është e stërgjatë, e zgjeruar pa nevojë me detaje të kota. Është thjesht humbje kohe.

Regjia nuk ka diçka të veçantë. Ngjashëm si kjo pjesë, edhe aktrimi mbetet nën mesatar. Carla Gugino është e treta përkrah Dwayne Johnson, e Paul Giamatti që i konsideroj si aktorët kryesor. Asnjëri nuk ofrojnë diçka të veçantë, por nuk është faji tek ta sa është tek skenari.

‘San Andreas’ mbetet një projekt filmik që ka provuar ndoshta të përfitoj marketing nga njëra prej video-lojërave më të mira të bëra ndonjëherë ‘GTA: San Andreas’. Mbetet një film i dështuar, që pos disa skenave ngazëlluese, s’është asgjë pos humbje kohe. Nota personale: 1/5