Categories
Filma

Scarface (1983) – Recensim

Unë gjithmonë e them të vërtetën. Edhe kur rrej.

Kur tregojmë një histori kriminelësh duhet të kemi kujdes që mos të mbulojmë me lavdi të keqen, sidomos në një ambient ku dallimi ndërmjet të keqes dhe të mirës nuk është një zotësi kolektive!

Njëjtë edhe Scarface fillimisht ka pasur reagime negative, sidomos nga kubanët në SHBA gjatë viteve 1980ta. Dhe nuk kanë pasur faj. Nëse marrim filmin si tërësi, ka të bëjë me një kuban të përndjekur politikisht i cili në SHBA arrin të infiltrojë botën e krimit.

Tony Montana vjen në vitin 1980 në SHBA pas arratisjes nga Kuba. Por, kampi i refugjatëve dhe ndihma sociale nuk janë të mjaftueshme zakonisht as për kuban as për shqiptar. E rruga e shkurtër tek pasuria është krimi dhe nëntoka. Ngjashëm edhe Tony nis të përzihet në punë të pista për të arritur tek green-card.

I padurueshëm, Tony niset drejt finales me thënien e tij të famshme:

‘Në Amerikë, së pari i bon paret, tani e bon pushtetin, tani i bon femrat.”

Rruga e bazuar në këtë moto çmonton edhe nëntokën aktuale në Floridë, duke ndryshuar rregullat e pashkruar, si dhe duke përshkallëzuar dhunën e kësaj bote në një nivel më të lartë se GTA: Vice City, që është një tregim shumë më i mirë e më i butë se ‘Scarface’. I ngjashëm por jo edhe kopje. Më lehtë të vrasin në GTA: Vice City se sa në ‘Scarface’.

Filmi i Brian De Palmës bazuar në skenarin e Oliver Stone, është një dështim artistik i cili glorifikon krimin dhe dhunën, duke kaluar në një nivel të Batall Gazit e Kara Muratit, të cilët të vetëm vrisni një kështjellë të tërë njerëzish.

E vetmja gjë që e shpëton këtë film është aktrimi i Al Pacinos, i cili e bën një punë të mirë, por krahasuar me rolet tjera ky i Tony Montanas mbetet më mbrapa. Jo që Al Pacino nuk është i mahnitshëm, por sepse karakteret tjera që i ka bërë kanë qenë shumëfish më të mira.

‘Scarface’ mbetet një inspirim i cekët për rebelët e pacipë dhe të mbushur mllef. Janë plot tri orë humbje kohe, me një finale të filmave të Kara Muratit. Dhuna nuk e bën një film të mirë, nuk bën art. Aktrimi i Al Pacinos po, por nuk mjafton. Nota personale: 2/5