TV Reviews

Scenes from a Marriage (2021) – Miniseri

Që dashuria nuk ka kuptim, na mëson ky pasazh i Aristofanit:

“Kur një njeri takon gjysmën tjetër të tij, të dy pushtohen nga dashuria, nga ndjenja që i përkasin njëri tjetrit, dhe s’dëshirojnë të ndahen nga tjetri, as edhe për një çast. Këta janë njerëz që përfundojnë jetën së bashku dhe akoma në fund nuk mund të tregojnë se çfarë dëshirojnë nga tjetri.”

I përmendur në Simpoziumin e Platonit, Aristofani na sjellë rrëfimin që njeriu kishte qenë “vet i dyti”, i plotfuqishëm, porse ishte mallkuar nga Zeusi, të ndahet në dysh, dhe që nga atëherë, secili njeri kërkon gjysmën tjetër.

Dashuria, romanca, nuk është një ide kapitaliste që lind nga filma e kotë romantik me fund të lumtur, siç proklamohet nga realistët! Ajo është e vjetër po aq sa vet ideja e njeriut që njohim sot!

Ky njeri, ende vazhdon të kërkojë gjysmën e tij, dhe shpesh ngulitet në rreth vicioz duke dyshuar ato që i vijnë nga brenda si pasojë e përqendrimit në ato që i vijnë nga jashtë. Dyshimi është burimi i së keqes!

Dyshimi që jeta e saj nuk është e plotë, që ka nevojë për diçka të re, ngazëlluese, për të çmontuar monotoninë e përditshme, ndoshta shtynë Mirën të dashurohet në Polin, dhe të lë Xhonathanin, e të bijën e tyre, Ava-në, e të zhvendoset mijëra kilometra larg.

Këtu nis historia e Mirës – një grua e suksesshme, nënë afër të dyzetave; dhe Xhonathanit – një besimtar radikal, baba që përkujdeset për të bijën, derisa vazhdon të kryejë punën e tij që sjellë shumë më pak të ardhura se sa puna e bashkëshortes.

Janë pesë episode që vijnë nga Hagai Levi – mjeshtri i serive rreth jetës bashkëshortore, i njohur edhe për ‘The Affair’ – i cili adapton miniserinë/filmin e legjendës suedeze, Ingmar Bergman, i cili sjellë një prodhim që shumica e shohin si autobiografik, në vitin 1974!

Secili episod kërcen disa muaj a vite në kohë, dhe na sjellë të dy, Mirën dhe Xhonathanin, para kamerës, në shtëpinë e tyre, derisa llafosin për një temë ndoshta edhe për gjatë tërë episodit.

Realizimi teknik është mjeshtëror, me skena që vonojnë deri në 30-40 minuta, me dialogë emocional, që përçojnë të gjitha ndjenjat e dy vetave të lidhur përjetësisht, në stade të ndryshme nëpër të cilat kalon jeta e tyre bashkëshortore!

Oscar Isaac dhe Jessica Chastain bëjnë punë që nuk mund të komentohet e lavdërohet me fjalë! Thjesht, duhet ta shihni, ta ndjeni, ta përjetoni historinë e tyre!

Është ndër mini-seritë më të mira që kam parë ndonjëherë. Madhështore! Nota personale: 5/5

%d bloggers like this: