Categories
Filma

Scent of a Woman (1992) – Recensim

Shkolla – aty ku mësohet sipas sistemit dhe me rregull; garazhet dhe bodrumet – aty ku ideohen produktet që sjellin revolucione. Varësisht prej perceptimit, për dikë kjo mund të jetë një fjali ngushëllimi, e për dikë një thënie humbësi!

Janë këta të dytët të cilët kanë transferuar perceptimin e disa shqisave në distanca të pakapshme për trurin e bashkëkohësve të tyre. Derisa pamjen e tingullin mund ti transferojmë në distancë, ndjenjën e nuhatjes nuk mund ta bartim përtej gardhit të komshiut, edhe atë vetëm nëse fërgojmë llokume të shtunave.

Dashuria është e çuditshme! Vjen në të gjitha format, për të gjitha format. Dhe të pakët janë ata që mund ta përshkruajnë siç e përshkruan Frenk Sllejd tek ‘Aroma e një gruaje.’ Kaçurrelat, në të cilat zhytet për të fjetur pa qëllim që të zgjohet ndonjëherë…. për të vazhduar me buzët e për të kaluar në pjesët më erotike të cilat do të ishin të përshtatshme për një shkrim nga @Egzoni.

Në fakt mund të hedhim një trajektore ndërmjet Frenk Sllejd dhe Egzonit. Të dy janë të çmendur në mënyrën e vet. Veçse Al Pacino ka marr Oskar për rolin e tij më të mirë në karrierë ndoshta. Sjell një karakter të çmendur, kryengritës gjatë gjithë atyre 156 minutave duke kapur dhe zotëruar çdo skenë ku i ofrohet mundësia. Një luftarak i pensionuar, i verbër, me një filozofi të veten që rezulton nga vendimet e tija paraprake. Vendime për të cilat ashiqare duket se pendohet.

Al Pacino ka një harmoni të mirë skenike me Chris O’Donnell, i cili sjell rolin e kujdestarit të Sllejd dhe një studenti të urtë në një shkollë të privilegjuar. Ai gjen veten në një telash, ku edhe hy në funksion ndihma e karakterit të Pacinos, i cili pas një vikendi të veçantë, sjell njërin nga fjalimet më të fuqishme në kinematografinë e viteve ‘90ta.

Një mësim për dashurinë, për shkollën. Një mësim i thellë, larg sipërfaqësores me të cilën ngufatet shoqëria, është ‘Aroma e një gruaje’. Të gjitha këto mësime kanë një mësues jo-normal në Al Pacinon. Nota personale: 5/5