Sa nga ne i dimë shtatë mëkatet e pafalshme pa marrë parasysh preferencat fetare?

Ndoshta pse nuk i përmendim shumë mëkatet, kemi vjedhës serik, të korruptuar serik, dhunues serik, lakmues serik, e shyqyr Zotit nuk kemi vrasës serik.

Si shumëçka tjetër me konotacion negativ, edhe mëkatet merren si të njohura për të gjithë, sa që harrohen me kalimin e kohës duke mos u përmendur. Por, edhe këto mëkate, me pamje shumë vulgare, na rikujton David Fincher me njërin nga filmat e tij më të mirë të bërë ndonjëherë.

Premisa mund të duket normale.

Dy detektivë me qasje të ndryshme – njëri klasik, buzë pensionimit, tjetri modern, fillestar – nisen të hetojnë, i pari me hezitim, i dyti me vrull, disa vrasje të çuditshme, të llahtarshme që duket të kenë një korrelacion.

Ajo çfarë e bën këtë film edhe më të mirë është harmonia skenike që kanë Morgan Freeman e Brad Pitt. Që të dy, akoma para majës së karrierës së tyre, mishërohen për merak me karakteret e tyre, të cilat i përçojnë suksesshëm në dialogët, në bashkëpunimin që kanë deri në skenën e fundit, e cila është ndër më të paharruarat në kinematografinë e të ‘90tave.

Personalisht, në pozitën e të tretit karakter në film do e vendosja Gwyneth Paltrow që gjallëron karakterin e të dashurës së Brad Pitt, e cila ka më shumë skenë se sa karakteri i vrasësit serik.

Skena kur Somerset (Freeman) vjen në darkë në shtëpinë e Mills (Pitt) dhe Trejsit (Paltrow), dhe në tryezë, gjersa darkojnë, pasi dëgjohen rrapëllima e kalimit të trenit, dhe “urimi” që u jep Somerset, sjelli në pah kontributin e karakterit të Trejsit. Ajo vazhdon të ketë edhe disa çaste tjera në skena, sidomos me Somerset, gjersa diskutojnë jetën dhe filozofinë mbi të cilën Somerset ka vepruar deri në ditët e pensionimit.

Për Kevin Spacey s’do të flisja shumë sepse jemi mësuar ta shohim në karaktere të tilla, fatkeqësisht edhe në jetën reale! Jo që kjo e fundit më bën ta përmend më pak, por së paku në një film besoj që shumica e kanë parë zotësinë e tij prej një aktori për role të tilla.

Me pak më shumë përvojë, Fincher do e kishte bërë këtë film edhe më madhështor. Për pjesën më të madhe na bënë të ndjehemi sikur jemi në Gotham, veçse këtu bie shi pa nda. E kjo pjesë, më së kënaqshmi vërehet gjatë udhëtimi me taksi, ku kamera nga poshtë kap sa Pitt, sa Freeman, në skena të ndara, nga poshtë, gjersa kemi shiun që godet xhamin e taksisë.

Por, kemi edhe anët tjera që janë pak më të “komplikuara”, më të zymta, e sidomos më të rënda për tu kapërdirë. Kjo është normale, marrë parasysh zhanrin e filmit, që megjithatë besoj që mbetet nën kualitetin e finales, ani pse kjo nuk i humb veçantinë që “Se7en” ka në zhanrin e filmave krimi, duke provuar të ngjyrosë një noir, ta quaj modern?! Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: