Categories
Filma

Searching (2018) – Recensim

Shikuesit e ‘Modern Family’ munden të kujtojnë njërën ndër episodet më inovative në TV, e cila njëkohësisht ishte edhe një reklamë e shkëlqyeshme për Apple, kur Claire merret me të gjithë anëtarët tjerë të familjes së madhe me anë të produkteve të Apple!

Për dallim prej atij episodi, këtu shohim edhe karakterin i cili na shfaqet mbrapa pajisjeve teknologjike, babanë – David Kim, i cili vjen në këtë film nga John Cho. Michelle La, Joseph Lee, dhe ndoshta më e njohura për ne, Debra Messing vijnë në rolet tjera.

Tregimi nis në formën e një reklame që ka pasur Google para disa viteve (Dear Hollie), ka për personazh kryesor Margot, e cila në pjesën fillestare të filmit rritet deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Gjatë kësaj moshe, Margot humb të ëmën e saj nga sëmundja. Në njërën nga ditët kur është në shkollë, Margot humb kontaktin me Davidin, i cili me të humbur kontaktin me të bijën, nis ta kërkojë atë.

Gjatë këtij kërkimi, Aneesh Chaganty i cili debuton edhe si regjisor edhe si skenarist, bën një punë të mrekullueshme, duke na mbajtur në një lidhje që na duket neve si shikues shumë reale! Të gjitha i shohim me anë të kamerave të cilat përdoren në pajisje të ndryshme, përfshirë edhe ato të televizioneve, gjatë misionit të Davidit.

Pos këtij aspekti teknik, filmi ofron një emocion të paqartë deri në fund duke na bërë edhe neve të jemi pjesë e këtij kërkimi, me krijimin e opsioneve dhe mundësive të ndryshme për fatin e Margot; përfshirë edhe të dyshuarit eventual. Pra, filmi pos teknikisht edhe artistikisht ofron një kënaqësi të veçantë, gjersa bën një kombinim inovativ në botën e kinematografisë.

Mendoj që është një film që zor se mund të zhgënjejë ndokënd nga ne, sidomos ata që kanë një interesim sado të vogël për teknologjinë. Nota personale: 5/5