Gjithçka është relative! Pothuajse!

Të gjithë e kanë ditur këtë, por është dashur Albert Ajnshtajnit që ta vërtetojë! E për Ajnshtajnin mund ta shihni serinë jo-dokumentare, por të bazuar në jetën e tij, ‘Gjeniu’. Kur jemi tek gjenitë – Ingmar Bergman.

Ka disa gjëra të cilat mundemi tu themi se janë absolute, sa për të kundërshtuar Ajnshtajnin. Dikush do të thoshte Zoti, dikush që 1+1 bëjnë 2. Unë do të shtoja diçka – Ingmar Bergman është një njeri i çmendur!

Veprën e këtij suedezi nuk e shihni. Atë e jetoni, edhe dashuroheni në të. Kryeveprat e tij janë mësim mbi jetën. Mbi absoluten dhe relativen. Nuk janë veç art në vete. Janë botë, univers në vete! Ata që i kanë parë, e dinë çfarë po flas. Ata që si kanë parë, do ta vërtetojnë kur ti shohin.

Për Bergmanin, e veprat e tij. Më falni, kryeveprat e tij mund të shkruajmë e flasim pa nda, dhe prapë, në fund, s’do të mund të përshkruanim madhështinë e tyre.

E ndër kryeveprat e tij është ‘The Seventh Seal’. Është një luftë me të vetmen gjë absolute të vërtetuar në çdo aspekt. Është një udhëtim me të përgjatë gjithë filmit. Me vdekjen.

Gjatë kryqëzatave, në Evropën e kapluar nga mortaja, një kalorës suedez kthehet në vendlindje, në dyshim mbi ato që i besonte si absolute. Dhe për të vërtetuar (pa)vërtetësinë e tyre, ai nis të luaj një lojë shah me vdekjen. Loja merr një diapazon më të gjerë me kalimin e kohës, por çdo moment mund të vëreni thjeshtësinë e temave të thella. Kjo është ajo që e bën Bergmanin një të çmendur!

Veprat e Ingmar Bergmanit janë abetare për jetën për çdo njeri, dhe abetare e përsosmërisë kinematografike, e pakapshme nga kushdo tjetër.

Këtu, skenari e regjia perfeksionohet nga aktrimi i Max von Sydow, dhe muza kryesore e Bergmanit, Bib Andersson. Nuk mund të anashkalojmë as pjesë tjetër të ansamblit.

Zor i përshkruar.

Kryevepër.

Nota personale: 5/5