Categories
Filma

Sex and the Single Girl (1964) – Recensim

Arsyeja pse jemi këtu, për këtë film, është e thjeshtë – Natalie Wood!

Dhe ajo vjen në rolin e një psikologeje e cila ka botuar një libër në lidhje me marrëdhëniet intime. Pas krejt këtij publikimi, ajo bëhet cak i një redaktori reviste i cili dëshiron të analizojë më shumë prapaskenat e jetës së saj intime se sa aftësitë e saja profesionale, të cilat i vë në sprovë.

Në këtë rol vjen Tony Curtis të cilin mund ta njihni nga ‘Some Like It Hot’ ku luan Xho dhe Xhozefinën.

Për t’u afruar më shumë me psikologen, ai përdor jetën bashkëshortore të dy miqve të tij, e cila është në rregull, por del nga binarët me trillimet e gazetarit.

Në rolin e këtij çifti vijnë Henry Fonda e Lauren Bacall.

A ka nevojë të vazhdojë më tej?

Kur sheh këta emra, nuk mendohesh dy herë për të shikuar këtë film, ndonëse arsyeja primare mbetet Wood për shkak të numrit të karrierës së saj më të shkurtër se këta tjerët.

Krejt kjo përzierje e punëve, përfshinë edhe karaktere tjera sekondare, të cilat përfshihen në momente komike, që e bëjnë këtë film një dy orësh të këndshëm, komik, me një ansambël aktorësh të mëdhenj.

Nuk është ndër ata filmat e ‘rëndësishëm’ të ‘60tave, por e ka një karakteristikë që sot është zor të haset.

Sot, është zor të gjeni diçka me ‘sex’ në titull, dhe të jetë i përshtatshëm për këdo mbi 13 vjeç.

Filmi nuk përmban skena intime, ndonëse flitet shumë për to, kryesisht në mënyrë indirekte. Ka puthje e muhabete, dhe fjalë të dykuptimshme, por është një komedi krejt ‘normale’.

Assesi nuk është vepra më e mirë e këtyre të përfshirëve – Natalie Wood e Tony Curtis; aq më pak e Henry Fonda e Lauren Bacall. Që të gjithë duken se kanë kaluar çaste të këndshme në realizimin e këtij filmi, dhe për neve është një mundësi e mirë t’i shohim larg ‘seriozitetit’ të tyre artistik. Nota personale: 3/5