Categories
TV Reviews

Shameless – Sezoni 7 (me spoilera)

Së pari më duhet të pranoj që lajmi se Emy Rossum ka gjetur marrëveshjen me producentët ka qenë diçka që më ke rehatuar goxha shumë. Mendoj që është herët për ‘Shameless’ të përfundoj, dhe karakteret kanë akoma shumë punë për të bërë para aktit final. Sidomos pas këtij sezoni ku duket se janë rehatuar në masë të madhe.

Largimi i Steve, sidomos ai i dyti ka qenë pak jo i lehtë për mua. Por, ai na ka përgatitur për ngjarjet e këtij sezoni dhe çdo largim që ndodh. Monica ka pasur aventurat e saja sa të çmendura aq të frytshme për freskinë e serialit. Largimi i saj në atë mënyrë, kur ndoshta më në fund pamë edhe atë anën e saj të butë sinqerisht si kurrë më parë, sikur i ndihmon seriali të ecën para pa ndonjë gajle për një bashkim familjar eventual në ndonjë të ardhme. Edhe largimi i Mickey, edhe pse jo definitiv është disi rehati shpirtërore për Ianit.

Edhe karakteri i Ianit, si i shumicës është zhvilluar dhe stabilizuar gjatë këtij sezoni. Në fakt, paratë që i dha në fund Mickey na bëjnë të mendojnë se ishte stabilizuar financiarisht shumë kohë më herët. Lidhja e tij me një transvesit ndihmon edhe këtë pjesë të mesazhit që provon të jep seriali në lidhje me këto lloj marrëdhënie, të cilat duket të tensionuara edhe ashtu ndërmjet komunitetit LGBT.

Nëse ka mbetur dikush keq nga Gallagherët atëherë ai është Lip. Përkundër të gjitha oscilimeve gjatë këtij sezoni, përsëri në fund mendoj që është njeriu me pozitën më të keqe të mundshme tek Gallagherët këtë sezon. Derisa të gjithë tek ‘Shameless’ kanë përfituar ndonjë gjë, e kanë gjetur veten, Lip akoma nuk është askund. Skena e refuzimit nga fakulteti ka qenë ndoshta ndër më dërrmueset këtë sezon, sidomos arsyetimi i tij. Por, ardhja e karakterit të Sierras ka rehatuar atë dhe shoh të ardhme të mirë si karaktere çift, por kurrë nuk ju dihet Gallagherëve e aq më pak skenaristëve të ‘Shameless’.

Carl ka pushuar pjesën e dytë të sezonit derisa në të parën ka qenë interesant zhvillimi i tij nga ajo që ishte sezoneve të kaluara deri te kalimi në anën tjetër të ligjit këtë sezon. Shtatzënia e Debbiet më ka shkuar nerva gjithmonë, por ka ndihmuar në daljen nga lëkura e atij karakteri, si motra e Lipit – dy të vetmit të udhës nga ajo familje. Por, ky ndryshim siç e ceka e ka pavarësuar atë si karakter duke i dhënë goxha hapësirë të cilën e ka shfrytëzuar për merak.

Treshja ndërmjet Kevinit, Veronicas e Svetlanas ka qenë ndoshta pjesa tjetër më komike e kësaj sezone. Nuk më ka pëlqyer fundi i kësaj treshe, por më duhet të pranoj se V kishte mbetur së tepërmi në hije në gjithë këtë eksperiment.

Edhe më komik në raste ka qenë Franku dhe eksperimentet e tij për ti mashtruar të gjithë. Megjithatë ajo lumturia në fund me Monican dukej e sinqertë, duke na sjell një fytyrë tjetër të tijen. Edhe pse shumë kohë kalon në rezervë, ato pak raste që ka arrin ti shfrytëzoj, kuptohet gjithmonë në favor të vetin.

As Fiona nuk është kursyer nga transformimi këtë sezon. Nga një kujdestare familjeje në një biznesmene dhe në fund në shpërthimin emocional për të gjithë atë vuajtje nëpër të cilën ka kaluar. Më ka pëlqyer së tepërmi harmonia skenike, më saktë durimi që ka pasur me Ettan. Aktrimi i June Squibb ka qenë freski e bukur këtë sezon. E sa për Fionën, nuk di sa më ka pëlqyer që nuk e kemi pasur si një udhëheqëse të Gallagherëve, sidomos në shtëpi. Disi iu ka dhënë pavarësi karaktereve, pavarësi të cilën mirë e kanë shfrytëzuar, por megjithatë kam një nostalgji për disa nga sezonet e kaluara kur gjithçka bëhej me urdhrat e saj.

Sidoqoftë, ka qenë një sezon i mrekullueshëm. Më ka pëlqyer së tepërmi, dhe ka shumë ngjarje tjera që nuk i kam përmendur këtu, por dikur duhet ti vendosim pikën. Nota personale për sezonin e shtatë: 5/5