Categories
Filma

Sherlocku i plakur – Oskarët 2016 (4)

Kategoria për aktorin më të mirë duket të jetë një garë dyshe ndërmjet DiCaprios dhe ndoshta Redmayne. Por, një listë më e gjerë do të përfshinte edhe Matt Damon, Michael Fassbender, Johnny Depp, dhe Michael Caine. Larg këtyre, por me një nga performancat e lavdëruar të aktorit në rolin kryesor në një film këtë vit është edhe Ian McKellen.

Gandalfi vjen në rolin e detektivit të njohur – Sherlock Holmes i cili gjendet në ditët e fundit të jetës së tij. Aktrimi i McKellen është i shkëlqyeshëm duke portretizuar Sherlockun në dy shtrirje kohore gjatë filmit. Në të dyja shtrirjet, si i moshuar që heton rastin e fundit, dhe si i shtyrë në moshë që provon të mësoj për rastin e fundit, McKellen arrin të mishërohet me karakterin e tij duke pasur edhe një relacion të mirë me karakteret ndihmëse.

Megjithatë, shanset e tij për nominim janë minimale, por aktrimi i tij mbetet për tu lavdëruar dhe nga aktrimet më të mira të një aktori në rol kryesor këtë vit. Johnny Depp, nga filmat që kam pa mbetet më i miri, para Gyllenhaal tek ‘Southpaw’ dhe tani ‘McKellen’.

Një performancë të mirë aktrimi ka edhe Olivia Wilde tek filmin ‘Meadowland’. Në rolin e një nëne që humb fëmijën, por jo shpresat për ta gjetur, në një skenar me plotë zymtësie, arrin të përçoj karakterin e vërtetë të ngujuar në një gjendje të këtillë shpirtërore. Por, ngjashëm si McKellen, edhe performanca e saj mbetet larg rrethit të ngushtë për të nominuareve të mundshëm. Jennifer Lawrence e Brie Larson janë favorite për aktoren më të mirë. Nga ato që kam parë, Wilde renditet edhe pas Charlize Theron në ‘Mad Max Fury’, e Amy Schumer në ‘Trainwreck’.

Edhe pas katër javëve filmat më të mirë për mua mbeten: Inside Out, Me and Earl and the Dying Girl, dhe Ex-Machina.

E njëjta vlen edhe për Top 3 filmat më favorit për Oskar – The Revenant, Spotlight, Steve Jobs.