Të fitosh një kampionat kombëtar nevojitet vazhdueshmëri, kontinuitet i rezultateve. Mund të humbësh derbitë, dhe ndonjë ndeshje aty-këtu, por gjatë ndeshjeve tjera duhet të jesh në formë. Çelzi ka skuadrën më të mirë në botë, dhe njërin ndër trajnerët më të mirë në botë. Nuk jam fans i Çelzit, por shikojeni skuadrën dhe e shihni për çfarë po flas. Çelzi fiton shumë lojë, por humb më kryesoret. Këtë sezonë kanë humbur vetëm nga Mançester Siti dhe të dielën nga Liverpul. Ata po humbin ndeshjet derbit që ndoshta kanë shumë rëndësi në krenarinë e tifozëve të tyre, por në fund ata përfundojnë me trofe në dorën e tyre. Në anën tjetër Liverpul ka finalizuar ringjalljen e tyre. Tri fitore radhazi në kampionat dhe rikthimi perfekt në Ligën e Evropës ndaj Napolit. Tani ata janë në top 10, por akoma janë 10 pikë larg kreut. Megjithatë gjatë muajit nëntor ata do të kenë për kundërshtarë disa skuadra jo shumë cilësore që duhet ti mposhtin nëse dëshirojnë të futen në luftë për titull, ose së paku për një vend në Ligën e Kampionve. Liverpul tani ndeshet me Uiganin, Stok, dhe Uest Hemin. Të gjitha janë të renditura pas tyre dhe mund ti sjellin “të kuqve” 9 pikë vitale. Me ardhjen e pronarit të ri, Xhon Henri, skuadra e Liverpul ka ndryshuar për të mirë. Thjesht ai është kalorësi që do të shpëtojë të kuqtë nga qyteti i Bitëllsave. Totenhem mposhti Interin, por nuk arriti ta mposht Bolltonin, që edhe këtë vit është përzier në krye të renditjes, ashtu si Njukastëll. Pikërish kontinuiteti është problem kryesor i Arsenalit që këtë javë humbi nga Njukastëll, pas tri ndeshjeve të fituara. Në mesjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së 12, ndërsa veçojmë derbin ndërmjet rivalëve të Mançester, Sitit dhe Junajtedit.

Në ligën spanjolle, Reali dhe Barselona nuk kanë të ndalur. Do të presim derbin në fund të nëntorit. Vijareal ka humbur 4 pikë në katër ndeshjet e fundit dhe nëse vazhdon kështu mund të rehatohet në pozitën e tretë, ndërsa për pozitën e fundit që dërgon në Champions do të kemi një kallabllëk skuadrash. Malaga nuk mund të përmirësohet as pas ardhjes së Manuel Pellegrinit, ndryshe nga Deportivo La Korunja që ka shënuar dy fitore radhazi duke u ngjitur drejt kreut. Në mesjavë zhvillohen ndeshjet për Kupën e Spanjës.

Në Itali Milani iu kthehet fitoreve, ndërsa Napoli, Juventus dhe Roma vazhdojnë me serinë e fitoreve. Bari ka humbur pesë ndeshje, ndërsa Çezena e Bogdanit tri. Udineze nuk arriti të shënoj fitoren e pestë radhazi, u ndal nga Kaljari. Roma mposhti me anë të dy penalltive skuadrën e Lacios. Kjo tregon për rëndësinë e derbit të qytetit të Romës që vërtetë po është shumë i nxehtë viteve të fundit. Me këtë humbje Lacio mund të filloj një periudhë jo shumë të mirë, dëshpruese. Dëshprim do të jetë edhe lëndimi i Samjuel për Interin. Forma e Inter po tregon se sa ekspert është Murinjo. Me një skuadër mesatare ka fituar gjithçka që ka qenë e mundur. Benitez nuk është Murinjo, dhe nuk ka kontinuitet në rezultate. Do ta kenë vështirë të fitojnë Serie A, e ashtu edhe Champions League. Milan arriti të fitoj këtë javë ndaj Barit, me një lojë të mirë, solide. Në mesjavë zhvillohet xhiroja e 11, ndërsa ndeshjet më interesante pritet të jenë Milan – Palermo, dhe Roma – Fiorentina.

Mbijetesa do të jetë tani synim kryesor i Maincit. Ju mungojnë 16 pikë deri te numri 40 që do të duhej të garantonte mbijetesën. Tri humbje në katër ndeshjet e fundit do të thotë përfundim i magjisë së skuadrës që befasonte Evropën. Të humbësh nga Hamburg mund të ndodh, e edhe nga Dortmund, por të humbësh nga Frajburg është e tepërt. Tri humbje radhazi, janë eliminuar edhe nga Alemania Ahen në kupë tregojnë se Mainc është në telashe. Vërtetë më vjen keq nëse kjo skuadër nuk renditet në pjesën e epërme të renditjes në fund të sezonit pasi që në fillim dhuroi spektakël dhe na kënaqte jo vetëm me rezultatet por edhe me lojërat e tyre. Por, ekziston edhe një shansë. Pesë fitore në pesë ndeshjet e ardhshme do të ishin ëndërr, por edhe një mohim i të gjitha atyre që thashë më lart. Është një probabilitet i madh kur krahason skuadrat që kanë mposhtur deri tani, dhe skuadrat që do të takohen në pesë ndeshjet e ardhshme: Hanover, Mënshengladbah, Nyrnberg, Frankfurt, dhe Shalke. Përndryshe Dortmund po vazhdon të hap epërsinë, ndërsa Leverkuzen është afruar në 3 pikë. Formë të mirë po tregojnë edhe Frankfurt e Nyrnberg që ka tri fitore radhazi. St. Pauli ka filluar të fundoset me tri humbje radhazi, ndërsa humbjeve në këtë javë i janë kthyer edhe Kaiserslautern e Këln pas fitoreve javën e kaluar, me nga katër humbje në pesë ndeshje të fundit.

Dhe për fund Lorik Cana startoi tek Gallatasaraj, por përsëri humbën. Me këtë humbje Gallatasaraj mund të përshëndetet nga titulli dhe të shpresoj për një vend në Evropë. Pa Ligë të Kampionve, nuk besoj se do të qëndroj Cana apo ndonjëri nga yjet. Kjo është pritur nga një George Haxhi, dhe një skuadër që nuk ka asnjë sulmues.

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: