Categories
Sport

Shqiptarët dhe Olimpiada!

Mali i zi i ka 625 mijë banorë. Këta banorë i kanë dy medalje olimpike në vaterpolo. Vaterpolo (hendboll në ujë!) zhvillohet kryesisht në tri qendra në Mal të zi: Kotor, Budvë, Herceg Novi. Numri potencial i atyre që munden mu marrë me vaterpolo në këto qendra dhe në përgjithësi në Mal të zi është 60 mijë veta. Nga këta 60 mijë veta janë 13 që përbëjnë një skuadre që ka qenë kampione dhe nënkampione e Evropës në tri pjesëmarrje, ka qenë dy herë e katërta në Lojërat Olimpike, ka ftiuar dhe ka qenen nënkampione e Ligës së Botës.

Hendbollistët e këtij vendi kanë arritur në finale të Lojërave Olimpike derisa Buduçnost ka fituar Ligën e Kampionëve të femrave në hendboll. Skuadra e basketbollit të meshkujve ka qenë pjesëmarrëse në kampionatin evropian derisa ajo e futbollit është mënjanuar në ndeshjet suplementare.

Krejt këto vijnë nga një popullsi me 600 mijë banorë.

 

Maqedonia ka pak mbi 2 milionë banorë dhe nuk është kushedi sa e suksesshme. Kometal ka fituar ligën e kampionëve për femra në hendboll, derisa kombëtaret kanë sukses të vazhdueshëm nëpër kampionatet evropiane e botërore. Kombëtarja e basketbollit ka qenë ndër befasitë më të këndshme në kampionatin e kaluar dhe ishte shumë afër kualifikimi në Olimpiadë.

Nëse shkojmë më lartë tek Kroacia (4 milionë), Serbia (7 milionë) e Sllovenia (2.05 milionë) vetëm sa do të turpërohemi më shumë.

 

Shqipëria ka 2.8 milionë banorë. Kosova ka ndërmjet 1.5 dhe 2 milionë. Në total le ta rrumbullakojmë në 5 milionë shqiptarë që mund të përfaqësojnë Shqipërinë. Dhe të gjithë këta pesë milionë vendosin shpresat në një Majlinda Kelmendi. Nga gjithë këta pesë milionë ne kemi vetëm 12 sportistë në Lojërat Olimpike. Për më tepër njëri na del i dopinguar, një nuk fillon derisa një nuk përfundon garën. Asnjë nuk arrin në finale apo afër medaljeve. E mbi të gjitha më shumë se gjysma nuk kanë arritur normën olimpike A.

Ku janë tjerët? Sa medalje kanë fituar në garat e fundit ndërkombëtare? Cila kombëtare ekipore ka marrë pjesë në kampionate evropiane? Cili individ ka marrë pjesë në një garë të madhe ndërkombëtare? Ose mbi të gjitha kur është përmendur himni ynë në ndonjë garë ndërkombëtare pas fitimit të ndonjë medalje?

Nuk e dimë! Nuk ka ndodh moti kohë!

 

E dimë që krejt nuk mundemi të bëhemi vaterpolista apo hendbollista si malazezët. Mirëpo problemi është që ne nuk po mund të bëhemi asgjë të mirë, pos në humbje kohe.

Përkrahja për Majlindën ka qenë e vonshme, vetëm pasi ka arritur rezultate të mira ndërkombëtare dhe është kualifikuar për Olimpiadë.

 

Rinia po shpërdorohet. Është mëkat është turp kombëtar kur më shumë se gjysma e adoleshentëve dinë më shumë për llojet e pijeve alkoolike, cigareve e gjërave të ngjashme se sa për sportin. Ku janë pedagogët të cilët dita ditës vetëm sa magjistrojnë e doktorojnë? Parashtesa para emrit të tyre nuk vlen kur nuk kanë produkte që sjellin medalje dhe krenari për popullin.

Nuk fillohet përkrahja vetëm kur fiton medalje apo arrin disi të përballosh qindra probleme (kryesisht financiare) dhe të shënosh një sukses maksimal që do të nënçmohej përsëri nga të tjerët. Përkrahja fillohet qysh në shkollën fillore. Atëherë duhet të fillojnë të gjejmë talente, ti përkrahim ti zhvillojmë.

E jo të nisemi me kënaqësi për Londër e vende tjera për të bërë fotografi e pritur medalje dhe lëvdata personale me mundin e dikujt tjetër.

 

Zhvillimi i sportit ofron një rini të shëndoshë e të pasur fizikisht e psiqikisht. Një rini e shëndoshë premton një të ardhme të ndritur. Një rini e shëndoshë është krenari për një komb.

Por e vetmja gjë që mund të krenohemi për momentin është që 80% e rinisë tonë kanë Facebook. Në anën tjetër “Grenada me 110 mijë banorë fiton medale, derisa 4 prej 5 milionë shqiptarëve kanë fejsbuk, – veq me 1 prej ktyre sendeve osht mu krenu.” – citoj vetveten.

 

Botuar në Shqipmedia