Categories
Sport

Është koha për Bowl

BCS-Title-Game

Si zakonisht përfundimi/nisja e fazës finale të sezonit në futbollin amerikan universitar sinjalizohet me ndeshjen ndërmjet Armatës dhe Marinës. Ndoshta ky sezon nuk ishte prej atyre ‘të kotëve’ kur kishim një, eventualisht dy programe që dominonin ligën, dhe kjo është arsyeja pse bën bowl ndeshjet më madhështore. Katër javë para fundit askush nuk priste, disa edhe nuk dëshironin të shihnin Notre Dame në finalen e BCS. Befasitë që nisën me mposhtjen e Alabamas nga Texas A&M, dhe më pas humbjet e Georgias dhe Floridas veçse ndihmuan në ‘ngazëllimin’ e këtij sezoni.

Megjithatë gjithçka dështoi me përcaktimin e disa përballjeve të ndeshjeve bowl. Disa nga këto finale kanë konkurrentë më pak të denjë se emri dhe reputacioni i atyre finaleve. Dhe këtë nuk e them nga emri i programit që prezantohet aty, shkollave, por nga suksesi i tyre këtë sezon. Kjo do të jetë arsyeja pse do të kemi jo shumë ndeshje që mezi do të presim për to, por futbolli amerikan universitar kurrë nuk dëshpëron. Në këtë nuk kam pasur dhe nuk kam dyshim as këtë vit, edhe pse besoj që sistemi i ri në vitin 2014 veçse do të ‘rregullojë’ më mirë klasifikimin e më të mirëve.

Notre Dame e meritoi pozitën e parë në renditjen zyrtare. Shënuan disa fitore të papritura, e mbijetesa pas tre shtesave kundër Boston College ishte mbërthimi i tërë asaj zhurme që bëhej për ‘irlandezët luftues’. Ithtarët e finaleve të konferencës JugLindore, SEC, që për mendimin tim ishin bërë bajate kohëve të fundit, shpresonin për ngecjen e Notre Dame në pengesën e fundit, USC. S’do mend që SEC ka shkollat më të mira, dhe ofron futboll jashtëzakonisht cilësor, për mendimin tim pak si tepër defanziv, por ishte koha për dikë nga jashtë të sfidonte SEC-un.

Finalet BCS do të jenë më interesantet si zakonisht. Mëzi pres të shoh se si do të rezistojë Notre Dame, Alabaman në BCS Championship. Do të jetë një përballje mbrojtjesh, por edhe dueli ndërmjet Manti Te’o të ND dhe AJ McCarron. Te’o ishte njëri nga kandidatët për trofeun Heisman. Në fund Johnny Manziel i Texas A&M fitoi me plotë mëritë duke lënë pas edhe Collin Klein e Kansas State. Impresive ishte përfshirja e kuarterbekut të Ohio State, Braxton Miller. OHS pati një sezon perfekt, por dënimi për shkak të manipulimeve ua mohoi të drejtën për të qenë në ndeshje Bowl, e ndoshta edhe në finalen e sivjetme.

Kansas State dhe Oregon Ducks do të luftojnë në Fiesta Bowl, dy sulme të hatashme, e intersante pritet të jetë edhe Orange Bowl ndërmjet Northern Illinois e Florida State. Stanford kundër Wisconsin për Rose Bowl dhe Florida Gators kundër Louisville për Sugar Bowl janë ndeshje që qysh tashti pothuajse dihet fituesi.

Nga ndeshjet tjera do të veçoja përballjen e Texas A&M dhe Oklahoma Sooners për Cotton Bowl, Georgia Bulldogs kundër Nebraska Coinhuskers për Capital One, dhe përballja e dy skuadrave të ‘tigrave’, Clemson dhe LSU për Chick-fill-A-Bowl.

Fansat e futbollit amerikan s’do të kursejnë as finalet tjera në të cilat nuk besoj që do të mungoj cilësia. Të gjitha ndeshjet transmetohen në ESPN America, e pranishme në të gjithë operatorët kabllor të mëdhenj në Maqedoni, ose në ESPN Player në ESPNAmerica.com. Ne në Shqipmedia do të mbulojmë të gjithë Bowl ndeshjet në ‘Kronikë Amerikane’.

Luan Morina
Kolumnist për sport në Shqipmedia