Categories
Televizioni

Si n’Amerikë

direcTVKrejt rastësisht gjeta ofertën e platformës satelitore amerikane DirecTV. Është afër sezoni i futbollit amerikan, dhe me këtë edhe oferta promocionale nga ky operator. Ajo që më ra në sy është që nga gjashtë pako sa ofron ky operator, dy të parat ishin shumë afër çmimit me pakon Premium HD të Digitalb! Megjithatë oferta ishte me ndryshime ‘ndër-planetare’.

Le të krahasojmë pakon e parë të Direc TV – Entertainment me Premium HD të Digitalb. Entertainment ofron mbi 140 kanale me çmim mujor prej 24.99 dollarëve apo me çmim vjetor prej 225.82 eurove. Premium HD ofron 72 kanale me çmim prej 249 eurove!

Digitalb përqendrohet më shumë tek cilësia HD e figurës. Janë 16 kanale HD në pakon e Digitalb. Janë 49 kanale HD që gjenden në pakon Entertainment të Direc TV.

Faktor për çmimin e lartë të Digitalb është padyshim edhe oferta e kanaleve sportive. Në pakon bazë të DirecTV që përmendëm më lartë janë kanalet sportive të ESPN dhe sigurisht kanalet kombëtare që ofrojnë garat më të mëdha sportive (Po në SHBA garat kryesore sportive, finalet e liga profesioniste të sporteve amerikane, dhe disa kampionate botërore transmetohen falas!).

Në pakon Choice të Direc TV janë të gjitha kanalet e ESPN, si dhe kanalet tjera shtesë si CBS Sports Network, Fox Sports, e NBC Sports Networks, si dhe kanalet e sporteve kryesore si NBA TV, MLB Network, NHL Network e NFL Network.

Me këto kanale përthekohet oferta e plotë sportive. Gjithashtu në çmim promocional përfshihet edhe NFL Sunday Ticket që përfshin të gjitha ndeshjet e sezonit të futbollit amerikan – s’do të dëshironte askush më shumë. E tërë kjo pako në çmim promocional kushton 29.99 dollarë në muaj, apo 271 euro në vit. Janë mbi 150 kanale televizive prej të cilave 72 janë në formatin HD. Në këtë ofertë përfshihen mijëra tituj në shërbimin On Demand. Gjithashtu është e mundur të shihen programet kudo – në laptop, tablet, celular. Ofrohet marrës falas HD DVR për regjistrimin automatik të programeve. Si dhe mundësohet lidhja deri në katër dhoma. Tre muaj ofrohen falas kanalet premium – HBO, Cinemax, Showtime e Starz, me kanalet e tyre. Nuk ka kosto shtesë për kyçje, për pajisje, e as për kanalet lokale që vijnë si bonus. Të gjitha këto për 271 euro, derisa oferta Premium HD e Digitalb është vetëm 22 euro më lirë.

Sigurisht ofertat promocionale nuk zgjatin shumë, por nëse shihni mirë figurën ngjitur, e shihni që oferta e rregullt është vetëm 5 dollarë më shtrenjtë. Çfarë do të bënte në fund, 50 euro më shtrenjtë se Digitalb. Përsëri është shumë afër për kah çmimi, planetë larg për kah cilësia.

Të hedhim një trajektore në cilësinë e programeve që japin vetëm katër kanalet kombëtare amerikane, po le të përfshijmë edhe PBS, kanal publik qindra herë më i mirë se kanalet publike tona, TVSH e RTK. Mjaftojnë këto pesë kanale të kalojnë cilësinë e pjesës dërmuese të kanaleve që ofron Digitalb.

Digitalb ofron përgjysmë më pak kanale, për çmim pothuajse të barabartë, derisa për cilësinë e programeve as mos të flasim. Do ta publikoja edhe listën e kanaleve, por do të merrte shumë hapësirë. Nëse jo qeveria, atëherë së paku Digitalb po na bën të ndihemi sikur në Amerikë. Sepse ata ecin me hapin e kohës!

 

* ofertat në linqet zyrtare

http://www.directv.com/DTVAPP/new_customer/base_packages.jsp

http://www.digitalb.al/produkte/s.php?k=1

 

Luan Morina

Analist mediash &Kritik për TV&Film