Zor që nuk keni dëgjuar deri sot për Luginën e Silikonit në lajmet e teknologjisë!
Ka mundësi që nuk keni dëgjuar edhe për ‘Silicon Valley’ më pas, por disi më duket pak e përmendur. Ose ndoshta fajet i ka gjenerata ime e ‘bumerëve’ që nuk shikojmë kësi seriale aq shumë :p
Thuhet se historia është inspiruar nga jeta e Mike Judge gjatë viteve të ‘80ta i cili është bashkë-krijues i serisë dhe producent televiziv e filmik.
Riçardi, për ata që nuk e kanë parë, është pjesë e një grupi që provon të ‘ndez’ në Luginën e Silikonit. Dhe grupi është i kompletuar me të gjithë personat e karakteret që duhet ta bëjnë një seri komike të shkëlqyeshme si kjo. Riçardi është ai që i mban bashkë, dhe CEO i kompanisë që krijojnë – Pied Piper. Gillfojll është një personalitet që të kënaq shpirtin me ftohtësinë dhe negativitetin e tij në krejt këtë grup. Dineshi është një axhami që bie pre e rrengjeve të Gillfojll. Erllik është ai që mban në shtëpinë e tij këta, dhe të tjerë si Xhian-Jang. Monika është ajo që përkrahë këta, por kurrsesi nuk ia del t’i drejtojë. Dhe pastaj kemi Xharedin, i cili e ka dominuar sezonin e fundit me shpërthimin e tij, ani pse nuk ka mbetur mbrapa në sezonet e mëparshme.
Gjashtë sezone dhe 53 episode nuk është ‘normale’ të përfshihen në 300-400 fjalë. Por, ‘karakteret’ po i dini, dhe ngjarjen pak a shumë, kështu që 27 orë të jetës suaj të mbushura me të qeshura i keni të garantuara nëse nuk hiqni dorë para kohe. E koha është sezoni i dytë. Ju nevojitet pak kohë të familjarizoheni me karakteret, dhe me ngjarjen, e pastaj s’ka gjë që ju ndalë. Dhe s’do të mbeteni pishman. Aspak.
Është një ndër seritë më inovative, më e popullarizuar tek njerëzit që merren me teknologji informative, programues e dizajnues të ndryshëm. Por, nuk është një seri e përcaktuar vetëm për këta. Mund ta ndërlidhim me ‘The IT Crowd’ e ‘The Big Bang Theory’, por është më ndryshe! Megjithatë nuk mbetet mbrapa. Nota personale: 5/5
SPOILERAT
Vazhdimësia e serisë ka qenë e shkëlqyeshme. Sezoni i fundit është qershi mbi tortë. Por, do të dëshiroja që grupi t’ia dilnin vërtetë, si milionerë. Ndoshta nuk është keq si përfunduan, por megjithatë, mendoj se kanë merituar më shumë.
Edhe jo, nuk më pëlqeu qasja në episodin e fundit, si një intervistë me ta. Ndoshta ka qenë një episod më gjatë se që duhet. Ose së paku pjesa e fundit e episodit. Tekefundit numri shtatë është baksuz! Megjithatë, një episod nuk mund të prish një seri senzacionale. Shtimi i një sozie të Gillfojllit në sezonin e fundit ka qenë ndër më të mirat që kanë bërë së fundmi.
Mendoj që është tepruar me Gavinin, si dhe Rusin. Por mbetet njëra ndër komeditë më të mira me temë teknologjinë, ndonëse nuk ka aq shumë të tilla.