Shumë njerëz e urrejnë të hënën, por për vete e urrej të dielën, sidomos të dielën pasdite, edhe atë kur ekipi im, apo ndonjë ndeshje e madhe luhet në 20:45!

Që nga fëmijëria e diela ka qenë e lodhshme – prindërit përgatiteshin për javën e punës, ne duhej të laheshim, planifikonim ku të pyeteshim, edhe të zgjidhnim rrobat/uniformën! Por, paraditet ishin të shkëlqyeshme – pallaqinka ose llokuma, filma të vizatuar në Super RTL, apo seri vikendi – Power Rangers, Sinbad, Vajza e Oqeanit, filma me Bud Spencer e Terrence Hill, dhe… BAM – lufta!

E njëjtë është jeta e Pat, i cili e nis filmin me dashurinë që ka për të dielën, e që në SHBA gjatë vjeshtës së paku është ditë e futbollit amerikan. Dhe deri të dielën, ai na tregon si jeta e rrëzon dhjetë herë.

Pat del nga rehabilitimi mendor, ku ka qëndruar për tetë muaj pasi ka rrahur dashnorin e gruas së tij, derisa është diagnostikuar me çrregullim bipolar! Pas kthimit në jetën ‘normale’ ai ftohet në darkë tek miku i tij, ku do të takon kunatën e tij, së cilës i ka vdekur burri. Të dy me mendjen jo aq të ‘kthjellët’ nisin të flasin për barnat që kanë përdorur e përdorin në darkën e tyre, derisa të dy provojnë të harrojnë të kaluarën që i ka ‘rrënuar’ mendërisht!

Është mëkat që ky film nuk ka fituar Oskar atë vit, për shkak të disa aktrimeve fantastike të konkurrentëve, por që të katërtit në rolet kryesore – Bradley Cooper si Pat, Jennifer Lawrence në rolin e Tifanit, Robert De Niro e Jackie Weaver në rolet e prindërve të Pat, kanë qenë të nominuar, me mëritë, për Oskar.

Por, performanca e Bradley Cooper është fenomenale, sidomos në portretizimin e skenave të krizës mendore, në të kaluarën e të tashmen, kur hedh nga dritarja librin ‘Lamtumirë armë’, kur çmend prindërit në mes të natës, para se të nesërmen të bëj të njëjtën në kërkim të videos së dasmës së tij. Dhe këto janë vetëm dy ngjarje që na përgatisin për ato skenat shpërthyese që do të pasojnë me të dy në skenë – sidomos ajo e restorantit – kur Pat dhe Tifani zhvillojnë njërën nga bisedat më të fuqishme me tematikë shëndetin mendor, që përshtatet mrekullueshëm me skenat paraprake – ato që janë duke vrapuar; dhe ato pasuese – derisa provojnë të ‘shërojnë veten me anë të hobive e ngjarjeve të ndryshme që do të duhej t’u çlodhnin mendjen.

Aktrimi i të gjithëve, sidomos harmonia e Bradley Cooper e Jennifer Lawrence është e mahnitshme. Pastaj, puna mbrapa kamerës e David O. Russell, i cili sjellë dy karaktere të cilët jeta i ka shtyrë deri në limit të ‘normales’ dhe matanë saj, është ndër kontributet më të mëdha rreth temës së shëndetit mendor, e portretizuar me një art kinematografik të shkëlqyeshëm. E filmi nuk kufizohet vetëm në dy karakteret kryesore, por zgjerohet në jetën e karaktereve dytësore, familjareve, të cilët medoemos përballen me rrethanat e reja të krijuara në jetën e tyre, kur dikush i afërt ka kaluar në diçka të tillë.

Gati një dekadë më vonë, filmi mbetet një xhevahir i kinematografisë sa i përket trajtimit të temave rreth shëndetit mendor, me dy karakteret kryesore në rrugën e shërimit, derisa lënë të kaluarën e verbëruar e gjejnë një ambient që i kupton, krejt ato që kalojnë në kokën e tyre. Është një ‘terapi’ dy orëshe, që të bën të ndjehesh i pranuar, dhe jo i vetëm, ani pse është vetëm ‘film’ ku bashkë me dy karakteret që shërohen nga traumat e së kaluarës, edhe ti ndjen një lehtësimi nga çfarëdo që të mundon. Nota personale: 5/5