Categories
Filma

Slumdog Millionaire (2008) – Recensim

Në një vend ku vjedhja dhe korrupsioni janë kryefjalë, fisnikëria është utopike!

Në një vend ku vjedhja dhe korrupsioni janë kryefjalë, fisnikëria është utopike!

Kur një djalosh nga lagjet e varfra të Bombeit, nis të qëllojë përgjigjet e sakta me radhë e pyetjeve në ‘Milionerin’ e Indisë, në momentin që nis të shndërrohet në një hero për të shtypurit, zgjon edhe ‘kureshtjen’ e autoriteteve të cilat medoemos provojnë të gjejnë diçka ‘të korruptuar’ në të.

Me këtë histori mund të lidhemi shumë mirë edhe ne në Kosovën tonë, të sjellë buzë mjerimit gjatë këtyre viteve të prishjes së gjithanshme, deri në shpirtin e një njeriu.

Në momentin që shihni dikë të arrijë diçka, menjëherë do të kërkojmë një nyje ‘të korruptuar’ në atë sukses. Sepse, ky është standardi që kanë vendosur – nuk arrin gjë pa vjedhë a korruptuar!

Danny Boyle kryen një punë mjeshtërore në adaptimin e novelës

Simon Beaufoy kryen një punë mjeshtërore në adaptimin e novelës të një autori indian, duke shtrirë historinë në dy periudha – kohën në ‘Milioner’ të Xhamallit, dhe jetën e tij të mjerë, nga i cili mjerim ka mësuar shumë mësime për jetën, përfshirë edhe disa nga përgjigjet në pyetjet e kuizit.

Që të gjitha këto kapen nën regjinë e të mrekullueshmit Danny Boyle, i cili për dallim nga skenaristi kishte ardhur në këtë film me më shumë përvojë.

Për aktrimin, nuk ka shumë hapësirë për të përshkruar paraqitjen magjepsëse të Dev Patel. Si në kuiz, si gjatë rrëfimit të jetës së tij, Patel mishërohet me karakterin sikur të ishte jeta e tij e njëmendtë.

Nëse e keni parë ‘Lion’ së fundmi, mund të hidhni paralele ndërmjet dy filmave. Në të dy, përkrah Patel janë edhe aktorë më të rinj në moshë që i japin jetë karakterit të tij. Në të dyja raste, fëmijët janë të shkëlqyeshëm.

Latika, e rritur bashkë me Xhamalin dhe vëllain e tij, Salimin, e zhdukur gjatë kohës, të cilën e portretizon Freida Pinto, ka një rol më dytësor në film, por e bën punën zellshëm. E njëjta vlen edhe për moderatorin – Anil Kapoor, dhe policin – Irrfan Khan.

Edhe dymbëdhjetë vite pas, ‘Slumdog Millionaire’ mbetet ndër befasitë më të mira të Hollywoodit, një ‘autsajder’ që fitoi tetë çmime nga dhjetë nominime për Oskar, një ndër filmat e fundit me temë socio-ekonomike që shpërblehet meritueshëm për artin që përmban si në rrëfimin e historisë, ashtu edhe në përçimin e saj në mënyrë vizuale e zanore. Nota personale: 5/5