Categories
TV Reviews

Solar Opposites – Sezoni 1 (pa spoilera)

Nga bashkë-kreatori i ‘Rick and Morty’, Justin Rolland vjen një komedi e animuar, goxha ngjashme, ‘Solar Opposites’.

Tek ‘Solar Opposites’, një familje alienësh janë dëbuar në planetin Tokë, disi sikur Supermeni, pasi planeti i tyre është shkatërruar. Ata janë vendosur, si gjithmonë, në Amerikë, në një lagje ‘normale’.

Për dallim prej ‘Rick and Morty’, këtu kemi katër alienë, dhe aventurat e tyre ndodhin në planetin Tokë, pa udhëtime në galaktika të ndryshme!

Korvo, i zëruar nga Justin Rolland (Rick Sanchez), është ai alieni i mençur i cili urren jetën në Tokë dhe mezi pret të largohen. Terry, është partneri i Korvos i cili ia kalon mirë në Tokë, është krejt i kundërt me të, dhe zërohet nga Thomas Middletich (Riçard Hendriks i Silicon Valley).

Si fans i The Goldbergs, goxha më ka pëlqyer prania e Sean Giambrone si Jamjullak, i cili është kopje më e re në moshë e Korvos. Falë Jamjullak, dhe kopjes së Territ, Xhesi, e cila është më së afërmi me botën njerëzore, kemi një mini-botë brenda botës së ‘Solar Opposites’, në murin e dhomës së tij.

Në murin e dhomës së tij, Jamjullak ka krijuar një botë me kate, ku vendos njerëzit të cilët i zvogëlon nëse i prishin qejfin!

Katër karaktere, katër botë, të përziera me botën njerëzore, premtojnë dhe japin shumë ngjarje që e bëjnë këtë seri gati edhe më të mirë se ‘Rick and Morty’! Shto këtu edhe murin njerëzor, secili episod ka zhvillim ngjarjeje të pafund, më të thjeshtë se Rick and Morty, dhe më komike rrjedhimisht.

Tetë episode, tetë super-episode, të cilat do të ju japin kënaqësi edhe më të madhe se që do të prisnim nga një sezon tjetër i ‘Rick and Morty’. Pasi që vijnë nga e njëjta kokë, dhe realizohen me të njëjtin përkushtim e përsosmëri, nuk ia vlen të humbisni asnjë moment pa e shikuar. Nota personale: 5/5