Tashti që e gjithë dynjaja e di kush është Spider-Man, është e pamundur të jesh Peter Parker.

Prandaj, Peter kërkon ndihmën e Doctor Strange për të fshirë kujtesën e tjerëve ashtu që gjithçka të kthehet si ishte më parë, dhe Peter të vazhdojë të mbrojë botën nga zuzarët!

Por, siç kemi mësuar gati në çdo vepër tjetër artistike, ndërhyrja në rendin e kohës dhe hapësirës gjithmonë lë pasoja, dhe këto pasoja i shumojnë armiqtë Peter Parker, derisa e bëjnë të pamundur misionin e Doctor Strange.

Është zor të shkruash për këtë film dhe të mos përmendësh spoilerat, por krejt ajo potere që është bërë për këtë film është kuptimplotë.

Ideja për ngjarjen, shtjellimi i saj, është nga më të mirat në historinë e filmave me super-heronj. Është bërë më parë, e ngjashme deri diku, por realizimi është i përsosur.

Tom Holland si Peter, Zendaya si MJ, e Benedict Cumberbatch si Doctor Strange vijnë në rolet kryesore, bashkë me Jon Favreau e Melisa Tomei. Aktrimi i tyre dhe tjerëve është në një linjë me shtjellimin e ngjarjes.

Pjesa teknike, pjesa e aksionit, e ngjitjes nëpër ndërtesa, magjitë e Strange, e krejt ato pjesët tjera, për çudi kur jemi tek filmat me super-heronj mbesin në plan të dytë!

Jon Watts me Chris McKenna e Erik Sommers sjellin njërin ndër filmat më të mirë për super-heronj të bërë ndonjëherë.

Është pak i gjatë në plan të parë, por marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve është i përkryer. Një punë të shkëlqyeshme ashiqare kanë bërë redaktorët që kanë arritur të sjellin në këtë kohëzgjatje filmin.

Dua të them, është shumë më i mirë se sa disa nga filmat e Scorseses që zgjasin deri në 3 orë e gjysmë. Shumë, shumë më i mirë.

Spider-Man: No Way Home është film i veçantë super-heronjsh. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: