Categories
Filma

Spirit – Stallion of Cimarron (2002)

A ju kujtohet hera e parë që keni parë një gjarpër?

Dhe kur them gjarpër, nuk aludoj në karakterin kryesor të librit të Veton Surroit, ‘Këmbët e gjarprit.’ Mendoj në gjarpër që mund ta shihni në natyrë, jo në televizor sa herë që kërkohet vëmendje!

Spirit, hamshori i Çimarronit, më në fund takon gjarprin e vërtetë siç e quan ai kur zihet nga jenkit që po pushtojnë perëndimin e egër amerikan. Kjo pasi bënë për pesë pare të gjithë ushtarët e kolonelit, i njohur si gjarpri. I lënë për t’u djegur në diell për tri ditë, shpirti i Spiritit sfidohet nga vendosmëria e kolonelit, i njohur si gjarpri, që të zbutet dhe të pranojë pushtetarët e ri.

‘Dhe me durim e përkushtim, edhe më të egrit mund të zbuten, apo jo…’

Po çfarë ti!

Koloneli, i njohur si gjarpri, do të bije sy me sy me sy me hamshorin, menjëherë pas momentit të pandehur nga ai si fitorja. Dhe sa më lartë shkon, aq më poshtë përfundon koloneli, i njohur si gjarpri.

Ky film që sjell një shpirt rebelimi të një hamshori, i cili sakrifikon edhe veten për të mos u kapur nga armiqtë e Perëndimit të Egër, lustrohet me disa nga këngët më të mira në film, të përputhura për mrekulli me temën e filmit.

Nuk besoj që ka ndonjë fëmijë të lindur në pjesën e dytë të ‘90tave që nuk e ka parë këtë film. Pos lëndëve në shkolla, Spirit na ka frymëzuar atë shpirtin rebel ndaj atyre që na hipin mbi shpinë. E të inspiruar nga Spirit, kjo gjeneratë nuk ka duruar askënd që t’i kërrusë shpinën. Aq më pak një gjarpër siç ishte koloneli.

Sepse nganjëherë sikur Spirit, edhe ne maniakët e filmave duhet të bëjmë atë që duhet të bëjë një maniak – të shikojë për të kushedi të satën herën ‘Spirit – Stallion of Cimarron’ dhe të rrimë në shpi. #RriNShpi