a.s. ky shkrim osht i ndam në tri pjesë, kjo për shkak të vëmendjes të shkurtër që e kemi fitu kohëve të fundit, falë faktorëve që janë përmend më poshtë…
Hajt edhe një herë po çmendemi! Po udhëtojmë në kohë! Jo shumë larg…
3 maj 2018, ora 13:34…
Dy miq takohen në rrugë. I dyti e fton të parin për kafe, i premton se do ta qeras. Të gjitha këto i bën me zë të lartë derisa ka një ‘rrëmojëse’ në dhëmbë. I pari s’mund të rezistoj në mesin e të gjitha atyre britmave dhe pranon.
E din që duhet të flas pak, dhe atë me kujdes. I dyti shquhet për veprimtarinë e tij atdhetare. Në fakt, posa qenka kthyer nga një veprimtari e tillë. Krenohet me të, me punën që bën për atdheun. Është kthyer nga dreka që ka pasur me një nëpunës të ultë në hierarkinë e qeverisjes komunale. Paska ngrënë një drekë të madhe, plotë mish e birra. Barkun e paska stërngarkuar, gjë që vërehet nga gogësimat që i lëshon një nga një derisa luan me rrëmojësen nëpër dhëmbë.
Nuk ka kontribute, nuk ka tatime. Pagesa e tij është në kesh. Edhe atë nuk sheh shpesh para. Fytyrën e parave si rrogë i sheh gjatë fushatave elektorale, e sidomos ditën e zgjedhjeve. Atëherë paguhet për të bërë fushatën, për të blerë votat, për të ndihmuar atdheun. Edhe pse zgjedhjet nuk ka kohë që janë kryer, veprimtaria e tij vazhdon.
Pak më herët ai i ka dorëzuar raportin gojor, pasi nuk është i zoti në shkrim-lexim (mjafton që i dallon paratë), nëpunësit, eprorit të tij. Njërit prej eprorëve të tij. Dhe kjo periudhë dy javore ka qenë jo aq aktive. Tashmë janë qetësuar fjalët. Ndoshta pranvera është fajtore. Ndërrimi i motit, i kohës, i bën njerëzit të mos merren aq shumë me rrjete shoqërore, me muhabete politike. Si rrjedhojë ‘ofendimet’, akuzat, ‘shpifjet’ për liderët politik të shtetit, përfshirë edhe nëpunësit në rendet më të ulëta janë pakuar. Megjithatë pagesa në formë të drekës e pijeve, që më pas do të pasojë me mbushje telefonike, është realizuar me sukses. Tani ai gogësin, dhe pas pak mund të shtroj edhe pordhat. Janë dy gjërat e vetme që bën pas ‘veprimtarisë’ atdhetare.
Në fund, ka marr edhe porosinë për të ndjekur nga afër personat e ‘hasmuar’ të nëpunësit dhe eprorëve të tij. Për fat të mirë, bashkëbiseduesi i tij është njëri ndër ta. Për këtë arsye ai hesht, dhe provon të mos komentoj fare për politikën. Dëgjon vargjet plot lavdi që thur i dyti. Duke nisur që nga demonstratat e vitit ’81, për të vazhduar me luftën, e veprimtaritë që shpien deri te shpallja e pavarësisë. Gjithashtu premton sikur të kishte ndonjë ndikim që vizat do të hiqen, e papunësia është joekzistente, pasi ka punë për të gjithë, vetëm ‘duhet të dinë cilën shpinë të kruajnë’.
Nëse asgjë, nenet e propozuara në ligjin e ri penal do të shtojnë numrin e punëtorëve. E saktë që do të punojnë si spiunë, për të mbrojtur shtetin, atdheun, liderët shpirtëror, por megjithatë do të punojnë. Tekefundit është në gjak kjo punë, ku shteti e proceset shtetërore identifikohen me persona. Të kujdesen që askush mos ti shaj, ofendoj, apo të flet diçka keq për ta.
Ngjitur me këtë tekst keni një fotografi të shkëputur nga një animacion i ‘The Late Show with Stephen Colbert’. Në animacion e shihni Donald Trump derisa shfaqet si një i nënshtruar i Putinit dhe rusëve. Kjo ka ndodh pas marrjes së detyrës së presidentit. Ky program shfaqet çdo ditë pune në njërin nga pesë kanalet kryesore kombëtare në SHBA. Jo vetëm ky, por të gjithë programet e këtij zhanri, dhe tjera kanë bërë shaka jo vetëm me Trumpin, por edhe me drejtorin e CIA-s, edhe me FBI-në, edhe me NSA. Numri i atyre që janë burgosur është zero. Kjo është demokracia. Jo kjo për të cilën keni luftuar. Në fakt për të cilën ‘kanë luftuar’!
Urime dita e pavarur e mediave!