Categories
Filma

Stand by Me (1986) – Recensim

Para lufte, nëpër katunde, para se të shpërnguleshin të gjithë në qytete punoheshin arat, dhe ndër shumë kultura bujqësore, ishte edhe ajo e bostanit. Për të ruajtur bostanin nga hajdutët eventual, që zakonisht ishin adoleshentë, ndërtoheshin kasolle të vogla. Këto kasolle janë zhdukur, ngjashëm sikur ‘treehouse’ nëpër filmat e tashëm.

Gordi është duke luajtur karta në një kasolle të këtillë, me shokët e tij të ngushtë – Krisin dhe Tedin. Të tre vijnë nga familje me shtresë të ndryshme shoqërore. I katërti është Verni, i cili lejen për tu futur në kasolle e kërkon nëpërmjet ‘ekskluzivitetit’ të një lajmi të rëndësishëm. I nënçmuar nga treshja, Verni sfidon guximin e tyre kur i fton në një aventurë – gjetjen e një trupi të pajetë të një fëmije që është zhdukur tashmë disa ditë.

Udhëtimi i katërshes në kërkim të trupit të pajetë, del të jetë një udhëtim nëpër një pjesë të urës që lidh fëmijërinë e magjishme dhe të çiltër, me pjekurinë e pakuptimtë në të cilën hasim kur nisim të shkelim në fushën e pubertetit dhe jetës së ‘vërtetë’!

Në këta katër fëmijë mund të gjejmë diçka nga jetët tona. Nuk do të jetë një përshtatje kallëpi, sa një mbledhje grimcash karakteri e jete nga secili prej tyre. Will Wheaton, Corey Feldman, Jerry O’Connell, e i ndjeri River Phoenix, janë aq natyralë, aq mirë pasqyrojnë karakteret, sa harrojmë që jemi duke shikuar film. Do të lidhemi me ta nëpër sfidat që kalojnë në aventurën e tyre, gjithmonë duke mos ditur a dëshirojmë të arrijmë qëllimin e udhëtimit – gjetjen e trupit të pajetë.

Filmi i bazuar në veprën e Stephen King, realizuar në film nga Rob Reiner, me plot mëritë është shndërruar në një film që ‘të rritë’. Skenari është goxha i thukët, e fotografia mbresëlënëse e natyrës kapet këndshëm nga kamera. Megjithatë dialogët marrin anën më të mirë të filmit. Janë të përkryer për tregimin, kohën, dhe karakteret – përfundimi i fëmijërisë dhe nisja e adoleshencës. Assesi nuk mund ta përkufizojmë si një film për një demografi të përcaktuar. Filmi, edhe neve ‘pleqve’ na pëlqen më shumë se po ta kishim parë në moshën e karaktereve kryesore. Për më tepër, tani shohim me një sy më ndryshe, me një intelekt që na bën pak edhe këshillëdhënës. Nota personale: 5/5