Categories
Filma

Star Wars: Episode IV (1977) – Recensim

Nëse dëshironi të nisni rrëfimin për një botë imagjinare, niseni nga mesi, ashtu siç bëri George Lucas me ‘Star Wars’. Mundësitë për tu zgjeruar janë të pakufi, ashtu si botët në galaktikën e largët, shumë të largët’.

Sot ‘Star Wars: Episode IV’, mund të na duket pak si film klishe.

Kemi një mision të qartë, kemi dy palë në luftë, dhe një të tretë që duhet të zgjedhë anën dhe kryej misionin. Pak a shumë, të gjitha na shpjegohen në parathënien e filmit, përfshirë edhe llojet e armëve që posedojnë palët.

Megjithatë, për një fans të këtij universi, ndonëse jo aq të dhënë sa që të sheh gjithçka e të flet me orë të tëra për Star Wars (a ndonjë franshizë tjetër), apo të futet në debate të nxehta se cili titull është më i mirë, ky film, edhe këtë prill kur e shikova për të katërtën a pestën herë, Episodi IV mbetet akoma një aventurë e freskët kinematografike që bëhet më madhështore çdo herë që e shoh.

Është një univers mirë i ndërtuar qysh në fillim, një botë e gjerë që përfshinë karaktere unike, të cilat me gjithë diferencën e qartë, përputhen në këtë univers, edhe atë secila në anën e tyre të kësaj beteje ndërmjet forcave rebele dhe Perandorisë.

Aspektin teknik, që luan rol të rëndësishëm në këtë film është goxha mirë i shfaqur. Të gjithë ato luftanije, objekte madhështore, të detajuara, duken si punë që kërkon goxha angazhim, sidomos marrë parasysh periudhën e realizimit të filmit.

Skenari është i përkryer, i zbërthyer në një vijë që sjell ngjarjet e duhura në kohën e duhur për kohë të duhur.

Aktrimi përkthen aftësitë e kastingut që sjellin aktorë të përkryer për karakteret që portretizojnë. Kemi Mark Hamill si një luftëtar axhami që nuk e ka haberin për forcën që zotëron, Harrison Ford si një tuxhar që nuk lodhet për askënd pos për paratë, Carrie Fisher si një princeshë rebele, e Alec Guinness si një gjysh-jedi.

Nuk di a e keni vërejtur që gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, së paku këtu po ndalem, karakteret negative zakonisht kanë një aksent britanik, ashtu si krejt eprorët e Perandorisë.

Edhe sot, gati gjysmë shekulli më vonë, ‘Star Wars: Episode IV’ mbetet hyrja e duhur në universin e Star Wars. Edhe për ata që vijnë nga ‘The Mandalorian’. Është film monumental. Nota personale: 5/5