Categories
TV Reviews

Stargirl – Sezoni 1 (pa spoilera)

Kur të mbërrini të tridhjetat, me shumë gjasë do të hiqni dorë nga seritë me super-heronj! Unë e kam bërë këtë pak më herët, por koha e pandemisë dhe mungesa e serive aktuale, dhe mbi të gjitha Joe McHale në episodin e parë (nuk kthehet në tjerët) më bënë që të nisë dhe të vazhdojë Stargirl, për plot 13 episode.

A do të kthehem më pas?

Do të kthehesha po të kisha kohë të mjaftueshme, pasi që si seri në sezonin e parë nuk më ka zhgënjyer.

Kortni, një vajzë tinejxherë në Los Anxhelos gjen një armë të fuqishme, Shkopin Kozmik, dhe shndërrohet në super-heroinë. Me nofkën Stargirl, ajo nis ringjalljen Justice Society of America, dhe kërkon mbështetje tek bashkëmoshatarët e saj.

Me idenë që është e bija e Starman, ajo provon të mbajë të gjallë JSA-në, një dekadë pas vrasjes së tyre nga Injustice Society of America. Ky mision merr zjarr kur Stargirl mëson se njerku i saj, Pat Dugan, portretizuar nga Luke Wilson, një arsye tjetër për të shikuar këtë seri, ka qenë mik i Starman dhe tani operon një robot gjigant që ju ngjan Transformersave.

Në rolin e antagonistëve vinë disa pjesëtar të ISA, të cilët provojnë të bëjnë një mjet që do të sundojë botën, në të cilën luftë duhet të ndalen nga Stargirl me shoqëri. Këta pjesëtarë të ISA-së kanë fëmijë bashkëmoshatarë të Stargirl, disa prej të cilëve janë të mirë disa janë të këqij. Këta përballen me dilema morale, dhe po e dini pjesën tjetër.

Amy Smart, ajo vajza nga ‘Just Friends’ – njëri ndër Top 10 filmat më të mirë me borë, vjen në rolin e nënës së Stargirl, dhe rolet tjera janë të portretizuara nga aktorë më pak të njohur.

Trembëdhjetë episode nuk janë shumë, por në një situatë tjetër s’do të mund të gjeja kohë për të përfunduar këtë sezon, jo për shkak të kualiteti, i cili është në nivel, por për shkak të zhanrit. Megjithatë, kjo kohë ka qenë goxha e këndshme. Nota personale: 3/5