Categories
Filma

Stay (2005) – Recensim

Janë disa ëndrra në të cilat e dimë që jemi në ëndërr. Janë disa ëndrra tjera që na duken aq të vërteta sa që na bëjnë të ndjehemi që po çmendemi, dhe gëzohemi kur hapim sytë dhe e kuptojmë që ishte ëndërr. Por, më të këqijat janë ato përralloret, ku gjithçka është e përkryer, e në fund hapim sytë dhe parajsa zhduket!

Henri (Ryan Gosling) është pranë një aksidenti trafiku nga ku çohet dhe largohet. Pak kohë më vonë ai takon Dr. Sam Fosteri në vend të psikiatres së tij të rregullt, e cila ka vendosur të pushojë për një kohë. Gjatë kësaj bisede, me mospajtime, Henri i tregon Dr. Samit kohën e saktë kur do të mbytë veten. Kjo shtynë Dr. Sam që të ndërmarrë hapat e nevojshëm që i duhen dikujt në zejen e tij, por nuk mjaftohet me këtë.

Dr. Sam ka një histori të ngjashme me të dashurën e tij, Lila Kullpeper, e cila ka pasur një tentim vetëvrasjeje kohë më parë, pas një krizë psikike, nga e cila është rikuperuar. Ajo ofron përvojën e saj të tejkalimit të kësaj krize në terapinë e Dr. Sam i cili lëshohet në një mision që do të përziej realitetin me imagjinatën e tij.

Dr. Sam është Ewan McGregor, derisa Lila është Naomi Watts, harmonia skenike e të cilëve në ‘Stay’ vije shtatë vite para filmit ‘The Impossible’ që ka qenë goxha i popullarizuar tek ne. Shto kësaj edhe Ryan Gosling, dhe karakteret dytësore, kemi një kastë të kënaqshme aktorësh të cilët ia dalin të kryejnë një punë të mirë në këtë triler psikologjik, fundi i të cilit do të ofrojë një zgjidhje të kënaqshme, por që nuk do të pëlqehet nga të gjithë.

Regjia vjen nga Marc Foster – Quantum of Solace, Stranger than Fiction, World War Z – i cili e bën një punë shembullore në aspektin vizual. Skenari nga David Benioff – GOT – mbetet pak ‘i komplikuar’ dhe dikush mund të humb interesimin larg para fundit.

Është një film që trajton temën e vetëvrasjes dhe dukuritë e ngjashme të shëndetit mendor. Nuk ka qenë shumë i aprovuar në audiencën e gjerë të filmdashësve, por mendoj që ka një vlerë që nëse nuk e keqkuptojmë, ofron lehtësim për mendjet e rënduara. Nota personale: 4/5

Për gjithkënd, @Linja e jetës, ofron konsultim falas çdo ditë, nga ora 18:00 deri np ora 2:00. Gjithashtu, ndihma e psikologut shpëton jetë ashtu siç nuk mund ta paramendoni, dhe këtë e them nga përvoja personale! Shkrimi është pjesë e një liste të filmave me temë shëndetin mendor, të cilit i kushtohet muaji i majit. Jeta është e mirë!