Categories
lomsh

Succession – Sezoni 1&2

Njerëzit e çuditshëm janë ata që nuk ndjekin një linjë të jetës, profesionit të tyre, dhe i tillë është Adam McKay. I njohur për filma komedi bizare, të cilat më pëlqejnë, me Will Ferrell në rolet kryesore, McKay ka ‘devijuar’ nga zhanri i tij duke u përzier edhe në politikë – Vice; e ekonomi – The Big Short.

Më e mira e tij është ‘Succession’ që vjen si ide e Jesse Armstrong!

Tema

Ashtu siç sugjeron titulli, ‘Succession’ ka të bëjë me trashëgiminë e një konglomerati global, Waystar RoyCo., pasi patriarku i familjes, Llogan Roj nis të shfaqë shenjat e para të pleqërisë dhe paaftësisë eventuale për të menaxhuar me kompaninë.

Karakteret

Për të trashëguar Lloganin, në linjë janë katër fëmijët e tij:

  • Konor, djali i madh nga martesa e parë, një pseudo-artist i cili nuk lodhet shumë me punët e firmës
  • Kendall, djali i dytë nga martesa e dytë, i etur për pushtet, dhe shihet si kandidati kryesor për të pasuar babanë
  • Romulus, djali i tretë nga martesa e dytë, i papjekur, me një jetë të shthurur, pa ndonjë aftësi menaxhimi
  • Shiv, bija e vetme dhe më e vogla e familjes, nga martesa e dytë e Lloganit, e përzier në politikë.

Llogani është martesën e tretë me Marsinë, e cila shpesh e gjen veten në kundërshtim me fëmijët e Lloganit, sidomos gjatë problemeve të tija shëndetësore. Pjesë e familjes janë edhe partneri/bashkëshorti i Shiv, Tom, i cili portretizon një dhëndër të zakonshëm që provon të përshtatet me familjen e gruas derisa del nga vetvetja, dhe për të treguar ‘forcën’ keqtrajton nipin e vëllait të Lloganit, Gregun, i cili ka të njëjtin qëllim si të dhëndrit, por me metoda më të çiltra.

Seria fillon me tentimin e Kendallit për të blerë biznese të reja, ashtu që të hyjë në qejf të babait dhe të marrë edhe zyrtarisht timonin e kompanisë. Kendall ka probleme me gruan e tij, kryesisht për shkak të abuzimit me substanca.

S(wot) analiza

Merr pak kohë përshtatja me temën, familjarizimi me karakteret, dhe zgjedhja e anës së betejës nga ne si shikues.

Dhe kjo shtohet kur Llogan vendos të mos lëshoj pe, e të rezistojë ndaj idesë se duhet të shkoj në pension, pasi koha e tij ka kaluar, dhe se metodat e tija nuk shiten më.

Seria vazhdimisht na mban në peshore se në cilën nga shumë anët e kësaj beteje duhet të anojmë, dëshirojmë të anojmë, pasi secili karakter i ka të këqijat dhe të mirat e tyre. Në disa momente ndjen dhembshuri, në disa momente inat për budallallëqet e tyre, e në disa raste pret shpërthimin e karakterit tënd për të marrë në dorë krejt pushtetin.

Ka momente kur ndahen ekipet, kur bashkohen, kur rindahen, ribashkohen, krijohen aleanca të reja, tradhti, dhe në të gjitha këto disa palë të treta që rrezikojnë të shkatërrojnë gjithçka.

Është dramë e shkëlqyeshme familjare që gërsheton biznesin dhe jetën e një familjeje miliardere.

Dikujt mund të mos i pëlqej mënyra e regjisë që është një kamerë në lëvizje me zoom +- varësisht qejfit të regjisorit. Është tipike për produktet ‘serioze’ të Adam McKay, nganjëherë edhe duke larguar nga fokusi karakteret kryesore të skenës. Kjo metodë nuk është gjithmonë në funksion, por ka çaste të pakta ku vihet në pah.

Skenari e dialogjet janë të mrekullueshme.

Aktrimi, sidomos nga Brian Cox (Llogan) e Jeremy Strong (Kendall), është mjeshtëror, ndihmuar nga rivaliteti i tyre dhe ngjarjet që i ndjekin.

Mbi të gjitha, intro e çdo episodi, me një kombinim të shkëlqyeshëm tingujsh.

Është ndër dramat më të mira të tri viteve të fundit, derisa sezoni i tretë kthehet këtë vjeshtë. Keni mjaft kohë që të përfundoni 20 episodet, para nëntë të rejave që nisin me 17 tetor. Nota personale për dy sezonet e para: 5/5