*Shkrimi në vazhdim përmban spoilera të sezonit të pestë
Sezoni i kaluar i ‘Suits’ na e kishte kthyer Louisin në antagonist. Por, ky rol nuk i përshtatej atij. Aspak. Eh ky sezon shërben si shpagim i këtij armiqësimi të tij me Jessican dhe Harvey, duke mbetur akoma i lidhur me anën e kundër të skuadrës. Dhe kjo do të vazhdoj që nga momenti i parë i këtij sezoni.
Ashtu siç kemi pritur, të shohim Harvey të ndarë me Donën në zyre ishte një përvojë e çuditshme. Por, në të njëjtën kohë Dona dhe Louis bëjnë një dyshe të mirë profesionale, sidomos për shkak të stilit të tyre të jetës që është goxha i ngjashëm kur jemi tek kultura dhe arti. Lidhja e tyre veçse është zhvilluar, dhe kuptohet nuk ishte krejt bardhë e lumtur. Të dy karakteret i kanë ndihmuar njëri-tjetrit të zhvillohen, dhe në të njëjtën kohë kanë zhvilluar qasjen e tyre ndaj Harvey. Ky i fundit është ‘ftohur’, normalizuar në lidhje me Donën, derisa është zbutur, sidomos në kërkimfalje dhe dëftimin për problemet e tij me Louisin. Pikërisht reagimi i Louis, reagimi fillestar i tij pas dëftimit të Harvey na e ringjall atë urrejtjen ndaj karakterit të tij.
Por, me karakterin e Louisit personalisht kam një lidhje ‘hate-love’. Ndoshta mund të hidhja një paralele me Pitonin e Harry Potter, ama nuk di sa do të përshtatej këtu. Megjithatë më pëlqen si karakter, dhe përkundër të gjithave më pëlqen çfarë ka ndodhur me të, çfarë ka bërë ai këtë sezon.
Një lidhje më e acaruar ka qenë ajo e Jessicas sa me Jack Soloff në fillim, sa me Daniel Hardmanin kah fundi. Më ka pëlqyer aktrimi i Gina Torres të cilën në pranverë për një kohë të shkurtër e kemi pasur në ‘Revenge’. Torres ka arritur me sukses të sjell përsëri një Jessica të dedikuar në karrierë, një femër guximtare dhe e zonja, e vendosur për të ruajtur atë që ka ndërtuar.
Soloff ka kaluar në plan të parë duke sjell një Hardman 2.0. Më ka pëlqyer edhe puna e tij, sidomos në interaksionet e tij me konotacion negativ ndaj Louis e Harvey, më shumë se sa lidhjen e tij me Mike.
Tek Mike, ngjashëm si tek Harvey, dhe pak edhe tek Jessica, kemi udhëtuar mbrapa në kohë. Jessica vetëm një shkëndijë ka pasur nga e kaluara, derisa kemi mësuar gati gjithçka nga e kaluara e Harvey dhe Mike. Kjo e kaluar, ky udhëtim në të kaluarën sikur e përgatit serialin për finalen e madhe pas dy sezoneve, ndoshta. Qyshdoqoftë ka qenë një udhëtim i këndshëm, i nevojshëm.
Nuk do të mbetem tek e kaluara, por le të përqendrohemi tek e tashmja e këtyre dy karaktereve. Së pari, Mike.
Fundi na lë shumë për të pritur nga sezoni i ardhshëm i ‘Suits’. E ardhmja e tij është e paqartë, por ky sezon ka shërbyer si pjekje e këtij karakteri. Kemi pasur një Mike që ka filluar të marr vendime të duhura, por fatkeqësisht pak me vonesë. Lidhja e tij me Robert Zane ka kaluar në një nivel më të lartë, derisa ngjashëm është zhvilluar edhe lidhja me Jessicën. Më ka pëlqyer bashkëpunimi i tij me Jackun. Të gjitha këto sikur kanë ndarë Mike nga Harvey, një ndarje që nuk ka ndryshuar asgjë në lidhjen e tyre, gjë që u konfirmua në dy-tri episodet e fundit.
Nuk di çfarë të them, apo të mendoj për të ardhmen e karakterit të tij. Por, e dimë që nuk ka më anksiozitet për të. Tashti vetëm mbetet të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet. Do të shohim se çfarë mund të bëj Harvey kur mbështetet kështu për muri.
E Harvey ka qenë në një pozitë që nuk jemi mësuar ta shohim më parë. Ka qenë i lëndueshëm, ka qenë i përulur, ka qenë i plagosur, i sulmuar, dhe megjithatë mbijeton e gjen zgjidhje, sado të dhimbshme të jenë. Edhe udhëtimi në të kaluarën e tij, ngjashëm si Mike ka qenë i shkëlqyeshëm. Kemi pasur një Harvey më të qetë, më të dobët. Ka qenë një sezon i Harvey në prapaskenë profesionale, derisa ka qenë sezoni kur kemi parë, e kemi çarë sipërfaqen e Harvey për të hedhur një shikim thellë brenda në personalitetin e tij, bashkë me arsyet dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar ky personalitet.
Ngjashëm si tek Mike, historia e tij pritet të ndryshoj. Ndoshta do të jetë një angazhim larg Pearson Specter Litt – një dedikim në mbrojtje të Mike. Ka mundësi ta shohim në një univers tjetër. Por, këto janë vetëm supozime të mija të thjeshta.
Ky sezon ka pas disa prurje të mrekullueshme. Dona është e pazëvendësueshme, por sekretaresha e re e Harvey ka qenë fenomenale. Dr. Agard ka qenë prurje e shkëlqyeshme. Psikologja e dytë e preferuar pas asaj tek ‘Person of Interest’. E nga ‘Person of Interest’ është shfaqur edhe e motra e Louis, Esther. Amy Acker ka pasur një rol krejt ndryshe nga PoI, por më ka pëlqyer goxha shumë. Të tri aktoret e reja i kanë dhënë hije dhe shije shtesë një sezoni të shkëlqyeshëm të ‘Suits’ që nuk meriton asgjë më pak nën 5/5.