Categories
TV Reviews

Suits (Sezoni 9) – Recensimi I fundit

Janë mbi 200 seri që kam shikuar, dhe së paku 150 që kam përfunduar, sipas statistikave të TVTime dhe IMDB. E them me plot bindje, që përfundimi i Suits është në mesin e më të mirëve në histori të televizionit. Sidomos kur vjen në një vit që përfundon njëra ndër seritë më të mira ndonjëherë – Game of Thrones.

Por, ngjashëm si seria e lartpërmendur, episodi final i Suits duket i nxituar, i përshpejtuar me shumë ngjarje që ndodhin në një episod të vetëm duke prishur kohështrirjen me episodet paraprake të serisë.

Sezoni i nëntë përqendrohet ashtu siç do të duhej, në mbijetesën e firmës, por nuk lë mbrapa as gjënë që më ka prishur nervat sezoneve të fundit, Darvey<3! Kthimi i Majk e bën fundin edhe më të mirë, sidomos me vendosjen e ngjarjeve të cilat duhet të përmendi më poshtë në pjesën e spoilerave! E para se të nisim spoilerat, duhet të përmendim muzikën e përzgjedhur në mënyrë të përkryer. Sidomos kënga finale. Shkrirje…

Nejse, mos t’i harrojmë

SPOILERAAAAAAAAAAT

Para pjesës finale ku Harvi dhe Majk rikujtojnë skenën e parë dhe ndërrimin e roleve, skenaristët përkujdesën të na sjellin një luftë të vërtetë në gjyq të këtyre dyve, ndonëse nuk ishte e vetmja nëse s’gabohem. Përfundimi i luftës gjyqësore mbeti i përshpejtuar, por megjithatë mendoj që finalja e meritonte këtë episod, dhe çdo gjë tjetër do të ishte e tepër, e tej-shtjelluar!

Karakteri më i urryer i serisë, Fej shpëtoi butësisht, ndoshta me atë porosinë që nuk ia vlen të merresh me çdo detaj, dhe të fitosh secilën betejë, pasi jeta siç thotë edhe Harvi në fund ka më shumë se sa cikërrima që na mbajnë të shpërqendruar. Sigurisht, e thotë më ndryshe, por mund ta nxjerrim këtë kuptim. Sidomos në propozimin për Donën.

U pajtova me Darvey në fund, dhe mendoj që ka qenë fundi që të gjithë e kemi ditur se do të ndodhë ndonëse akoma mendoj që Skoti e edhe psikologja do të ishin përzgjedhje më të mirë se Dona!

Për një çast, isha i frikësuar se do të bëjnë ndonjë krim me karakterin më të mirë në këtë seri dhe ndër më të dashurit për mua në histori të televizionit, Lluis Llit! Ai mori fundin më të bukur, më të mirin, në të gjitha këndet. Fantastike ishte kjo gjë, dhe për këtë merr notën maksimale krejt seria. Dua të them se që nga fillimi Lluisin e kemi pasur në hije, lakmitarë për të qenë Harvi, gjë që edhe e bëri në njërin nga episodet më të mira të tijat. Por, fillimi i episodit të sezonit të tetë me ‘Portugal’ dhe vallëzimi i Lluis do të mbetet ndër momentet më të mira të kësaj super-serie legale e cila u jep shpirt avokatëve deri në një masë.

Ende vazhdoj të insistoj që avokatët janë profesionistët më të pashpirt të cilët arsyetojnë këtë ftohtësi të tyre me ligjet dhe rregullat që ‘duhet’ t’i ndjekin, të cilat vet i kanë shkruar ndonëse të vetëdijshëm që ka diçka më shumë si p.sh. etika! Nejse, kjo temë e gjerë, mos të devijojë siç e kam adet.

Mendoj që Majk u sakrifikua padrejtësisht për largimin e Rejçëll, dhe do të kishte pasur më shumë t’i jepte serisë. Por, mendoj që kreatorët e kanë ditur këtë fund dhe rrjedhimisht kanë larguar Majkun nga seria atëbotë. Ndoshta kam pritur një rikthim qoftë momental në finale të Xhesikas, por e di që po merret me serinë Pearson të cilën nuk e kam nisur dhe nuk besoj që do ta shikoj për shkak të kohës.

Më duhet të pranoj që Aleks dhe Samantha kanë mbushur me sukses hapësirën e lënë nga largimet e Rejçëll, Majk, Xhesika, e edhe Robert Zein. Punë të mirë ka bërë edhe Katrina, ndonëse nuk mund të mohoj që ‘dashuriçka’ e saj më ka shkuar nerva! E më së shumti do të më mungoj Dr. Lipshitz dhe bisedat e tij me Lluisin.

Nëntë sezone, nëntë super-vite me Suits mbaruan. Një dekadë, për dikë me fat i bie 1/8 e jetës së tij. Për dikë edhe më pak. Ky është efekti që seritë e mira lënë mbi neve. Na mbushin jetën me dozën e argëtimit, e cila na mungon sidomos në këtë vend të mbushur nga hipokrizia dhe egërsia kanibaliste ndërmjet njerëzve, sidomos në këtë periudhë zgjedhjesh. Nota personale e serisë: 5/5.