Categories
Sport

Superliga evropiane e kosovarëve

Superliga është pothuajse e vdekur!

Për momentin.

Por, në çdo kaos të këtillë shpërfaqen fytyrat dhe mendimet e vërteta të së gjithëve të përfshirë. Edhe të neve kosovarëve!

Rebelimi i tifozëve anglez dëshmon më së miri dashurinë për futbollin.

Për anglezët, futbolli nuk është diçka që e shohin në TV dhe bëjnë dy-tri statuse në Facebook, dhe vazhdojnë jetën si zakonisht. Për anglezët futbolli është jetë!

Ndeshjet e orës 3 pasdite (4 me orë tonë) janë të ndaluara për transmetim, bashkë me të gjitha ndeshjet ndërkombëtare gjatë sezonit ekipor. Arsyeja është e thjeshtë – të gjithë përkrahin ekipet e tyre lokale.

Dhe këtu dallojmë ne.

Ekipet tona lokale zakonisht janë shfaqje cirku për neve. Krejt çfarë bëjmë për to është kritika, shumica me vend, përqeshje, dhe poshtërim kolektiv ndaj tyre. Zakonisht shërbejnë si ‘terapi’ psikologjike për tu bashkangjitur në turma dhe shfryrë mllefin ndaj kundërshtarëve me anë të sharjeve të ndryshme.

Më e keqja është që këto sharje nuk rrjedhin nga dashuria e përkrahja për ekipin lokal, sa për shkarkim psikologjik.

Ideja e Superligës më së miri dëshmoi edhe shpirtin tonë të varfër, ekonomik e sportiv.

Gjithçka sillet rreth parave!

Po të ishim një klasë e zhvilluar kapitaliste, ndoshta do të kishte kuptim. Por, si njerëz me më së paku kapital, përkrahja e kapitalizmit dhe ideve të tilla është për të ardhur gjynah. Por, njëkohësisht është edhe një ndjenjë psikologjike e zhveshjes nga kjo ndjenjë inferioriteti – përkrahja e të mëdhenjve, të pasurve!

Më së miri kjo vërehet me milanistët, të cilët fajet e kryesive që i kanë nëpërkëmbë një ekip me ide të marra që 15 vite, provonin ta mbulonin me idenë që kanë vendin në mesin e më të mirëve. Paçin fat sonte me Sassuolon!

Përfundimisht, ne, si shumica e spanjollëve e italianëve, jemi të verbër ndaj skllavopronarëve. Është një nënshtrim aq i frikshëm që nuk na dallon nga pa kurrizorët. Është një mosrespektim i vlerave humane, frikë për të kundërshtuar njërin në pozitë më të lartë, që ekipin tonë e ka si një lodër.

Ne nuk kemi dashuri për futbollin, sa e kemi një mjet për të luftuar kundër tjetrit, një mjet për të na bërë të dukemi më superiorë ndaj tjerëve, një litar që do të na ngrehë nga llumi në të cilin jemi të zhytur. Ne nuk i duam ekipet tona lokale, nuk japim shpirtin e lëre më 2 euro biletë për to. Ne nuk e duam futbollin. Ne nuk duam as vetveten!

Sigurisht, përjashtim nga kjo turmë delesh ka pasur me të madhe. Gjatë 2-3 ditëve të kaluara, kemi mundur të dallojmë tifozët e njëmendtë, dhe pseudo-tifozët që nuk kanë kurrfarë lidhje shpirtërore me futbollin. Superliga dhe idetë e këtilla janë në ‘pauzë’. Do të kthehen, por kur e si, mbetet për tu parë. Kurdo që të jetë kjo, ju mbetet tjerëve të luftojnë, sepse shumica e ‘tifozëve’ tanë, vetëm do të bëjnë ‘amin’, ashtu siç bëjnë në çdo ide që jep dikush më i lartë se ta në shtresën shoqërore.