Categories
lomsh

Të ëndërrosh për Euro 2012! – E hënë, mëngjes!

Po, mund të fillojmë të ëndërrojmë për një Euro 2012 me Shqipërinë. Në rregull, rezultati 1:1, nuk është diçka shumë pozitive, ose që na bën të ëndërrojmë, por loja e Shqipërisë sigurisht që na bën të ëndërrojmë se më në fund mund të shkojmë në një kampionat evropian. Ndoshta pjesa e parë nuk ishte aq frymëzuese, por, e dyta ishte krejt ndryshe. Çfarë kombinime, qarkullim topi, krijim hapësire për kuqezinjtë! Mos ta teprojë të them të kujtonte Barselonën, por ishte shumë frymëzuese. Nuk patëm fatin të shënojmë edhe një herë, dhe ndoshta realizimi ishte pika e vetme e dobët. Nuk krijuam shumë raste për shënim dhe nuk patëm shumë gjuajtje në portë, por arritëm të kemi dominimin dhe qarkullimin e topit në disa momente gjatë ndeshjes që na mbushën me eufori. E ajo çfarë na kënaqi më së shumti ishte shtylla e mbrojtjes, luani, dinozauri, i pakalueshmi, i madhi, Lorik Cana. Kapiten i vërtetë. Lider i vërtetë. Dhe në krah kishte një mbrojtës krahu, Armend Dallkun, pra nuk ishte as Debatik Curri, por Dallku u tregua shumë i sigurt. E tëra skuadra ishte në nivel, në shumë raste. Goli u pranua papritmas dhe për shkak të një hapësire që u krijuam mysafirëve. Në përgjithësi ishte një ndeshje që më pëlqeu dhe më jep shpresë se ndoshta mund të kemi gjasa për kualifikim. Edhe një lajm tjetër i mirë është dalja nga spitali e selektorit Josip Kuzhe. Tani na duhen tri pikë në Bjellorusi e cila në ndeshje me Luksemburgun vërtetoi se fitorja në Paris ishte vetëm befasi.

Në ndeshjet tjera nuk kishte shumë befasi.

Në Grupin A, Gjermania mposhti bindshëm Turqinë. Hidink luajti me një formacion të përzier, sidomos kur Sabri Sariollu dhe Hamit Altintop, të dy mbrojtës dhe mesfushor të djathtë luajtën në anën e majtë. Gjithashtu edhe Volkan Demirel edhe një herë e vërtetoi se Turqia kurrë nuk ka pasur portjerë të sigurt.

Në grupin B, Irlanda u mposht pas 14 ndeshjeve si vendase ndaj Rusisë që nuk ishte shumë dominante por mori 3 pikë. Sllovakia ashtu siç edhe dyshoja humbi pikë në Armeni. Maqedonia shënoi fitoren e parë ndaj Andorrës autsajdere.

Estonia befaasoi Serbinë. Nuk ishte ndonjë befasi e madhe pasi vetëm fati u kishte munguar estonezëve kundër Italisë në shtator. Italianët nuk arritën të konkretizonin disa raste ndaj Irlandës Veriore, e cila ka shumë mundësi të mira të renditet lartë kësaj radhe.

Në grupin tonë Franca definitivisht i është rikthyer kohërave të vjetra, duke shënuar fitoren e dytë ndaj Rumanisë. Luksemburgu befasoi duke barazuar me Bjellorusinë.

Huntelar shënoi përsëri për Holandën. 6 gola të tij nga 8 sa ka shënuar gjithsej Holanda. Hungaria dërmoi San Marinon, dhe ka mundësi të mirë që kësaj here të radhitet së paku në pozitën e dytë.

Kroacia duket të jetë më e sigurta në grupin F. Pozita dytë për mendimin tim mbetet e hapur për 4 kombëtaret tjera.

Mali i Zi vazhdon të fitoj me rezultate minimale dhe është i vetmi që mund ti bëj probleme Anglisë. Norvegjia nuk po lëshon primatin në grupin H, edhe pse duket se Portugalia me selektorin e ri, Benton është rizgjuar disi.

Dhe në grupin e fundit Spanja do ta siguroj kualifikimin pas rrethit të parë të ndeshjeve siç po shkojnë gjërat.

Të martën do të kemi shumë ndeshje interesante. Shqipëria takohet me Bjellorusinë në Minsk, Franca pret Luksemburgun, ndërsa Rumania dhe Bosnja e Hercegovina pushojnë kësaj radhe. Fitorja në Bjellorusi do të largonte Shqipërinë sadopak nga vet Bjellorusia dhe pretendetët tjerë Bosnja e Hercegovina dhe Rumania.

Prej ndeshjeve tjera më intersante veçoj ndeshjet Anglia – Mali i Zi. Malazezët kanë shënuar disa fitore minimale dhe kanë një skuadër mirë të sinkronizuar. Dhe tani do të shohim se çfarë mund të bëjnë ndaj Anglisë. Ose do të mposhten thellë, disi si Bullgaria, ose do të jenë arrë e fortë për “tre luanët” e Kapellos.

Ndeshje tjetër intersante do të jetë ajo ndërmjet Italisë dhe Serbisë. Italia nuk është më aq dominante. Futbolli “axurë” është fundosur shumë dhe nuk duket se do të këndellen së shpejti. Është përzierje gjeneratash. Nëse dëshiron rezultat Prandelli duhet të ndryshoj komplet gjeneratën e jo vetëm disa siç ka bërë tani. As Serbia nuk është kërkah pas ardhjes aq të bujshme të “Pizhonit”. U turpëruan nga estonezët në vend të tyre, dhe do të mundohen të fitojnë në të gjitha mënyrat. Spanja nuk do ta ketë lehtë në Skoci ashtu siç nuk do ta ketë të lehtë Rusia në Maqedoni. Sllovakia pret Irlandën, ndërsa Holanda ndeshet me Suedinë, të dyja ndeshje shumë interesante dhe të baraspeshuara.

Në Formula 1, Red Bull shënoi fitore të madhe në Suzuka, sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit fitoi Sebastian Vetel. I pari në renditje, Mark Ueber u rendit në pozitën e dytë, por ka një epërsi të mirë në renditjen e përgjithshme dhe e gjitha çfarë i duhet është të vozit sigurt dhe të përfundojë garat. MekLaren dështoi plotësisht. Kanë mbetur edhe tri gara në fund, dhe akoma asgjë nuk ka përfunduar.

Ashtu siç e prisja kampioni i ri në volejboll doli nga gjysmëfinalja e dytë. Ndoshta po vuajnë në futboll, por në volejboll brazilianët po shkëlqejnë. Brazili ishte bindshëm ma i mirë në finale ndaj Kubës, duke e mposhtur me rezultat të pastër, 3:0.

Luan Morina

Kolumnist i rregullt për Shqipmedia