Edhe një ditë pa përdorur kosinusin e tangjentin në jetën tuaj, ë?

Profesoresha e matematikës në gjimnaz na thoshte që “ata që dinë matematikën, kanë një copë mishi ndërmjet trurit të madh dhe trurit të vogël.” Por, si shumëçka që na mësojnë në shkollë, edhe kjo duhet të jetë një mit, si thashethemet për kolegët e tyre.

“God must be a painter. Why else would we have so many colors?”

Është një ide që ngjyrat nuk ekzistojnë në botë, por janë vetëm brenda trurit tonë. Pra, në fakt janë daltonistët ata që shohin botën si është në të vërtetë. Apo ndoshta jemi vetëm një kopje e shtrenjtë e The Sims4 e një lojtari që heziton të rregullojë të gjithë karakteret, derisa ngjyrosë botën me lloje të ndryshme të karaktereve.

Karaktere të cilat ndonëse në plan të parë mund të na duken të çrregullta, në thellësi janë ata që ndryshojnë rregullat e lojës. I tillë ishte edhe John Forbes Nash Jr., i cili thjesht kishte “prishur rregullat e lojës” me temën e doktoratës së tij.

Dhe tash, “imagjinoni të mësojmë që njerëzit më të rëndësishëm, vendet që kemi vizituar, momentet më të rëndësishme në jetën tonë, të gjitha të zhduken. Jo të vdesin, por më keq, të mos kenë ekzistuar kurrë. Në fakt, ky do të ishte ferri, apo jo?”

Një njeri që duket i çuditshëm, që pranon që nuk i pëlqejnë njerëzit, të cilëve ai u pëlqen edhe më pak, John Nash krijon një botë të re duke u futur në punët sekrete të kriptografisë.

Jeta e tij merr kahe të ndryshme gjatë punës së tij profesionale, derisa zbulon një të vërtetë të frikshme personale që do t’i ndryshojë jetën e tij, e do të mahnit shikuesin që e sheh për herë të parë.

Aktrimi i Russell Crowe është fenomenal.

Edhe më i mirë se tek Gladiator për të cilin kishte marrë Oskar një vit më parë, dhe ndoshta dy vite radhazi do të ishte e tepërt, por aspak e pamerituar. Për të vlerësuar këtë kryevepër, Oskar morën producentët për filmin më të mirë, regjia e skenari, edhe e mrekullueshmja Jennifer Connelly me rolin e karrierës.

Connnelly luan rolin e vajzës në të cilën dashurohet Nash, një matematikan asocial, i cili e ka të vështirë të bëj miq. E në mesin e miqve janë edhe Ed Harris e Paul Bettany, të cilët sjellin në jetë dy karaktere me histori goxha të çuditshme.

Fakti që filmi bazohet në një histori të vërtetë, e bën këtë film edhe më të prekshëm, e njëkohësisht edhe më të rëndësishëm për njerëzimin, duke na sjellë një njeri të pazakontë që ndryshon jetën e miliarda njerëzve të zakonshëm. Atyre që nuk përdorëm as sot sinusin a kotangjenten.

Është ndër kryeveprat e kinematografisë së viteve 2000ta, me një rrëfim të jetësuar nga një kast e aktorëve fantastik. Nota personale: 5/5