Elia Kazan mund të jetë ndoshta nga ata emrat kontrovers të Hollywoodit në periudhën e Luftës së Ftohtë, por njëkohësisht është edhe nga emrat më të mëdhenj në film.
Pos filmave që kanë zënë vende të pashlyeshme në historinë e shumë të pasionuarve për artin kinematografik, ai botës së filmit i ka dhuruar edhe dy emra tjerë së paku – James Dean dhe Marlon Brando. Ky i fundit ka shpërthyer në botën e filmit me paraqitjen e jashtëzakonshme në filmin ‘A Streetcar Named Desire’.
Është ky tramvaj që sjellë kunatën e karakterit të Brandos, Stanley Kowalski (jo pinguinit të Madagaskarit), në apartamentin e tij dhe të bashkëshortes, Stellas. Kunata e Stanley, Blanche e portretizuar nga Vivien Leigh (Scarlet e Gone with the Wind ndër të tjera), është një mësuese e anglishtes që zhvendoset nga Mississippi në New Orleans pasi humb gjithçka që kishte nga jeta e saj aristokrate.
Adaptimi në një ambient të këtillë është i pamundur për Blanche, e cila nis një lloj rivaliteti me Stanley. Kjo lidhje kunetërish përshkallëzohet me mospajtimet dhe dyshime në qëllimet e njëri-tjetrit. Dhe si zakonisht kur ballafaqohen dy palë, e treta është ajo që digjet më së shumti, në këtë rast Stella e cila mbetet ndërmjet dy zjarreve të kundërta – bashkëshortit dhe së motrës, të tashmes dhe të kaluarës, maços-mashkullores dhe aristokracisë, gjersa vet është shtatzënë.
Ky polarizim i këtyre dy karaktereve, sjell një aktrim fenomenal nga ana e Marlon Brandos, të cilin shumica mund ta njihni si fjalëpakë, por që në këtë film shpërthen me monologë në dialogë të shkruar goxha mirë, mirëpo jo të barabartë. Ndonëse e bënë një punë të mirë, aktrimi i Vivien Leigh, ndoshta për shkak të karakterit dhe njëfarë fryme negative që sjellë në ekran, më ka kaluar në anën antagoniste që nga fillimi.
Ndonëse pjesa më e madhe është e përqendruar në këtë lidhje skenike, aktrimi i Marlon Brandos dhe Vivien Leigh nuk është një duopol. Karl Malden në rolin e Mitch si shok i Stanley dhe me interesim në Blanche, ka disa momente të tija, pa harruar edhe Kim Hunter në rolin e Stellas e cila duhet të shfaqë dy fytyra në një karakter të vetëm, diçka jo e lehtë, por e realizuar suksesshëm.
Një film shumë mirë i realizuar me një temë jo aq të shpeshtë, frymëzuar nga një super-skenar. Nota personale: 5/5