Është vështirë të kuptosh rrugën në të cilën lëviz Milani. Kjo ndodh shpesh. Derisa në verë shiti gjithçka të vlefshme, këtë e vazhdoi edhe në fillim të dimrit, për të blerë diçka më të hajrit në fund.
Personalisht kam përkrahur politikën e transferime të verës për largimin e Silvas dhe Ibrës dhe pensionimin e pjesës më të madhe të skuadrës. Gjithashtu kam ulur aq poshtë standardin e pritjeve që edhe nëse s’do të jemi fare në Evropë vitin e ardhshëm s’do të ishte problem.
Është një pasojë e politikave të ngurrëta në tregun e transferimeve që nga viti 2001 ndoshta, por akoma qëndroj tek fakti që pas 2006 e mbrapa politika e shitblerjeve ka qenë krejt ndryshe. Ndoshta shitja e Shevës u ka mbetur ‘ëmbël’ dhe që nga atëherë më shumë kemi qenë të prirë për të shitur se për të blerë.
Por, kur kemi blerë kemi marrë shumë lojtarë me transaksione jashtëzakonisht të volitshme, por edhe kemi marrë shumë lojtarë të cilët nuk kanë qenë aspak të nevojshëm, përfshirë edhe talentet.
Të kalojmë tek talentet. Sa veta kemi marrë nga akademia viteve të fundit. Abate dhe Antonini janë kthyer pas një xhiroje disa vjeçare nëpër skuadra inferiore. Abate ka pasur performanca të mira, derisa për të dytin nuk më kujtohet ndonjë ndeshje e mirë. Të dy kanë pasur ‘shkëlqimet’ e tyre, i pari ndaj Interit, e i dyti ndaj Manchesterit!
Së fundmi kemi De Sciglion, derisa të tjerët janë duke humbur kohë nëpër skuadra amatore, nga ku presim të zhvillojnë talent që do të shfrytëzonim në Champions League. Akademia e Milanit nuk është ajo që ka qenë dikur, dhe që do të duhej të ishte për emrin e madh që mban. Derisa të jetë kështu ne do të vazhdojmë të blejmë lirë dhe të shesim më shtrenjtë, si e vetmja mënyrë e përfitimit, që do të ishte baras me zero kur shohim dështimet e vazhdueshme që bëjmë.
Më në fund larguam Mesbahun. Ishte bërë pikë e zezë dhe ankesë e Gallianit që pengonte shumë tratativa, kinse shkaku i tij. Një kujtim – Galliani nuk ka ardhur në Milan këtë vit, aty ka qenë mbi 20 vite dhe vet ka përgjegjësi për gjithçka që ka ndodhur në Milan së fundmi. Nuk ka gjetur Mesbahun aty, atë e ka blerë vet. Morëm Zaccardon me një kontratë të ‘volitshme’ për tri vite e gjysmë. Larguam Acerbin (Nesta junior!), e huazuam Emanuelsonin, Valottin e Strasserin. Shitëm Paton. Blemë Salomonin, gjysmën e Constant, dhe komplet Ballotellin.
Duke parë ‘rehatimin’ e formacionit të Allegrit me ndryshime minimale, qoftë edhe në zëvendësime kohëve të fundit, atëherë supozoj do të jetë vështirë të gjej vend Salomoni dhe Zaccardo, edhe pse kur kemi parasysh mbrojtjen tonë kurrë nuk i dihet. E sa për Ballon, dyshoj që do të jetë në pankinë javën e ardhshme.
Kemi 32 lojtarë të huazuar, dhe 12 në bashkëpronësi. 27 lojtarë janë në dispozicion të Allegrit për pjesën e dytë të sezonit. Totali – 71 lojtarë pa përfshirë primaveran.
Është kallaballëk, shumë kallaballëk. Më e keqja është që në këtë kallaballëk, mëzi mund të gjejmë 11 lojtarë që do të jenë simbol të Milanit. Sulmi është i përkryer për së paku një dekadë. Mesfusha dhe mbrojtja s’janë kërkah. As portjerët nuk janë për mësysh, së paku jo Amelia e Abbiati.
Luan Morina
Kolumnist për ACMilan-Shqip