“Një javë diarre, tri javë as një grimë.”

Pleqtë gërnjarë gjithmonë kanë qenë karakteret që më kanë ndrequr seritë që kam parë. Këtu, është kjo fjali e një banoreje të shtëpisë së të moshuarve që përshtatet me fjalorin e fjalitë thumbuese të karaktereve të kësaj serie, sidomos atij të Ricky Gervais.

Ricky Gervais tek ‘After Life’ luan rolin e një gazetari të cilit i ka vdekur gruaja pas një sëmundjeje.

Kur vdes dikush nga rrethi i ngushtë familjar, ndjen zemrën të plandoset, bota të shembet. Fatkeqësisht, herët a vonë, të gjithë jemi njohur me këtë ndjenjë. Por, njashtu sikur Grinçi, edhe ne kemi shumë raste të ndjejmë rritjen e zemrës sonë për dy-tri herë!

Kështu është jeta e Tonit pas vdekjes së gruas së tij.

Në dymbëdhjetë episodet e dy sezoneve të ‘After Life’, Ricky Gervais sjell një karakter që na shfaqnë pah një fytyrë që nuk jemi mësuar ta shohim deri më tani në karrierën e tij.

Kështu është secili episod i cili në të njëjtën kohë na bën të pikëlluar e të lumtur, na lehtëson pikëllimin tonë duke na bërë të qeshim me ato kohë jo aq të këndshme nga e kaluara jonë, me të cilën të gjithë jemi ndeshur, në një mënyrë a tjetrën.

Derisa kjo seri është një luftë mbijetese për dikë që nuk është i interesuar të jetojë më, njëkohësisht është e mbushur me karaktere dytësore jeta e të cilëve nuk është asgjë speciale.

Toni, ndonëse nuk fshehë atë arrogancën nga e cila nuk provon të zhvishet as vet Ricky Gervais, prapë nuk mundet të bëjë të gjitha të këqijat që mendon e planifikon, e as të mbytë veten. Duke na kujtuar Palaçon, Toni si një i pikëlluar pa ndonjë interesim për jetën, nuk mundet të rrënojë edhe botën e tjerëve, ndonëse duket sikur është në plan të tij.

Përkundrazi, ai vetëm sa ndreq jetët e tjerëve, të cilët në njërën anë duken sikur më pak të ‘iluminuar’ se vet ai, nga e cila botë ai nuk mund të largohet, por as edhe ta dëmtojë. Kemi lidhjen e tij shoqërore me prostitutën, të cilën e ndreq me njërin nga karakteret që urren më së shumti – postierin.

“Kur shoh diçka të mirë, një fije shprese, humbi… pastaj, kur gjithçka bëhet mut, them, “Ah, ja ku është.” Tashti mund të dehem dhe të pres vdekjen.

Gjatë gjithë kësaj, ai është në një luftë me vetveten. Po ta shikojmë si tërësi, mund ta përmbledhim ‘After Life’ si një rrugëtim reflektimi, një autoportret të Ricky Gervais.

Dhe ky rrugëtim është ndoshta më e mira që ka bërë në karrierën e tij.  

Nëse nuk keni humbur dikë të afërt, më e keqja që mund të bëni është të mendoni vazhdimisht për atë çast, kur vdekja do të troket tek ju dhe do të ju marrë dikë të dashur. Në vend të kësaj, bëni atë që na këshillon Toni, vallëzoni me më të dashurit tuaj, qeshni, kënaquni, por mbi të gjitha, bisedoni, thoni fjalët që mendoni t’i thoni, por për kushedi çfarë arsye, nuk ia dilni.

Thjeshtësia e karaktereve, rrethinës, na bën të ndjehemi më afër me situatat në këtë seri. Dialogët, fjalitë thumbuese, që nuk kursehen as nga karakteret tjera, përballja me situata të çoroditura derisa kërkojnë artikuj për gazetën lokale, na pasqyron jetët tona të qeta e të thjeshta, me jetë e vdekje, karshi gjësendeve që s’kanë kuptim, që janë bizare, dhe në fund asgjë më të dobishme se nga jeta jonë e kotë, e thjeshtë, por me dashuri. Nota personale: 5/5