Fansat e mëdhenj të animeve po i shikojnë me inat adaptimin e titujve të tyre të dashur në filma hollivudi. Ndonëse nuk jam në mesin e tyre, e kuptoj zhgënjimin dhe indinjatën e tyre sidomos kur sheh një film si Ghost in the Shell! Dështim total!
Por, Alita: Battle Angel del të jetë një film i realizuar shumë herë më i mirë se i lartpërmenduri. Faktori kryesor mund të jetë Robert Rodriguez. Tek Alita bëhet një punë e mirë si në zhvillimin e tregimit ashtu edhe në realizimin teknik të tij, në të cilën gjë nuk ka pasur edhe aq pak punë për t’u bërë.
Filmi sjell një cyborg në një të ardhme kur lloji i tyre është i ndaluar. Me ndihmën e një mjeshtri të tyre, Alita ringjallet dhe nis të kujtojë të kaluarën e saj duke mësuar edhe identitetin e saj. Siç pritet, nis edhe një mision i thellë për të gjetur detajet dhe zbuluar të fshehtat e të kaluarës, në të cilin mision ajo duhet të zgjedh mirë miqtë nga armiqtë.
Rosa Salazar vjen në rolin e Alitës, ndihmuar nga i shkëlqyeshmi Christopher Waltz në rolin e mjeshtrit dhe kujdestarit të saj. Mahershala Ali e Jennifer Connelly vijnë në dy rolet kryesore dytësore, bashkë me Keean Johnson për të cilin ky është roli më i madh deri më tani në karrierën e tij. Ed Norton e Michelle Rodriguez kanë role minimale, por mund t’i dalloni sekuencat e tyre gjatë filmit.
Nga shumë adaptime të dështuara të animeve nga Hollivudi, Alita: Battle Angel duket të jetë më i miri i realizuar (nga ata që kam parë). Ka plane për vazhdime, të cilat shpresojnë të mos vonojnë sa origjinali. Sidoqoftë është baza e një franshize që mund të zhvillohet edhe më tutje, dhe gjersa ruajnë këtë zell në punë, besoj që do të shtohen edhe shikuesit. Edhe fansat e animeve orgjinale. Nota personale: 4/5