Ne, popujt e Ballkanit, mund të kemi shumë dallime ndërmjet vete në sipërfaqe, edhe kufij, por nëntokën e kemi të përbashkët. Kjo nëntokë, me të gjitha të zezat, vjen në një seri goxha mirë të realizuar, pak për lakmi për produksionet ballkanike.

Pas serisë, inspiruar nga histori e vërtetë sipas kreatorit Srdjan Saper, qëndron Tony Jordan, bashkë-kreator i serisë ‘Life on Mars’. Në kastën e kësaj serie janë edhe aktorët tanë: Arben Bajraktaraj si Dardani, Gresa Pallaska si Teuta, Mensur Safqiu si Hashimi, Adrian Aziri në rolin e Enverit, etj.

Dardani është njëri nga emrat kryesor të nëntokës ballkanike, i martuar me Teutën, motra e Agimit, i cili është udhëheqës i mafisë shqiptare. Hashimi dhe Enveri janë dy krahët e djathtë të Dardanit.

Një ditë vere, Urosh Periç – një qytetar i rëndomtë, bëhet shkaktar për vdekjen e së bijës së Dardanit, në një aksident trafiku. Tani, është koha e Dardanit të marrë gjakun e së bijës – ndaj Uroshit, apo shitësit së drogës së bijës së tij. Cili do të mbijetojë do të varej nga përballja e këtyre dyve në një luftë të hapur e të zhveshur!

Pas kësaj, Uroshit i kërkohet të vrasë armiq të caktuar të Dardanit, që ky mos t’i vrasë familjen. Për këtë marrëveshje, Uroshi i kërkon besën Dardanit!

Në ndjekje të Dardanit janë dy agjentë të Interpolit, njëri nga këta Petrit Koci, i portretizuar nga aktor Milos Timotijevic. Ai ka një lidhje të ngushtë me familjen e Dardanit nga fëmijëria në Prishtinë, që përsëri ndërlidhet me nocionin e besës.

Pra, seria ka të bëjë me nocionin e besës dhe (pa)vlerën e saj në botën e nëntokës, si një ligj në një botë të paligjshme.

Seria nxjerr tmerret e llahtarshme të nëntokës ballkanike, të padukshme për shumëkënd, si dhe të asaj ‘sipërfaqësore’ të cilën e njohim. Skenari është fantastik, ndoshta me dialog që çalon në disa pjesë. Por zhvillimi i ngjarjeve, në sezonin e parë është realizuar me tepër zgjuarsi duke mos pritur ngjarjen të ndërtohet për 12 episode për të arritur një finale.

Secili episod është në stilin e ‘Game of Thrones’ ndoshta, dhe kjo falë gjerësisë së historisë dhe numrit të madh të karaktereve pjesëmarrëse në seri.

Aktrimi është i mrekullueshëm. Gresa Pallaska e Mensur Safqiu kanë skenat e tyre individuale, por edhe një skenë të përbashkët me aktrim përrallor. Radivoje Bukvic në rolin e Uroshit, dhe Arben Bajraktaraj për pjesën më të madhe janë të heshtur, të qetë, dhe si dy karaktere kryesore në distancë, por në momentet e tyre, na lënë gojëhapur.

Hiç më mbrapa nuk mbeten as karakteret dytësore, ku historia e disave ka një zhvillim të papritur, por goxha mirë të shtruar.

E pastaj vjen fotografia dhe kolona zanore – goxha të këndshme, dhe në nivel me skenarin e serinë.

‘Besa’ mbetet njëra ndër seritë më së miri të realizuara në Ballkan. E përsëris që skenari dhe përpunimi i ngjarjes e karaktereve është superior. Në plan të parë duket sikur diçka që nuk është realizuar në Ballkan, me një kualitet më ndryshe, jo vetëm në aspektin teknik. Nota personale: 5/5