Beasts of the Southern Wild (2012)
IMDB Rejtingu: 7.5
Premiera e shfaqjes: 29 qershor 2012
Kohëzgjatja: 91 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të përmbajtjes të vrazhdët dhe për të rritur, nudizmit, gjuhës, dhe narkotikëve
Zhanri: Dramë
Regjia: Benh Zeitlin
Skenari: Lucy Alibar, Benh Zeitlin
Aktrojnë: Dwight Henry, Gina Montana, Jovan Hathaway, Levy Easterly, Lowell Landes, Nicholas Clark, Pamela Harper, Quvenzhané Wallis
Shtëpia filmike: Fox Searchlight Pictures
E përballur me sëmundjen gjithnjë më të rëndë të babait të saj dhe me ndryshimet ambientale që lëshojnë një armatë të krijesave parahistorike të quajtur aurorë, një gjashtë vjeçare largohet nga komuniteti i saj në kërkim të nënës së saj.
Një film amator, në shumë aspekte, por edhe një kryevepër nëse kemi parasysh ‘amatorizmin’ e të gjithë pjesëmarrësve në këtë film.
I realizuar në një teknikë të thjeshtë, filmi tregon storien që shpesh ngjyroset me fantazi, për banorët e Luizianës në kohën e vërshimeve të vitit 2004. Storia portretizohet nga perspektiva e një vajze, Hashpapi, e cila pasqyron botën sipas mendimit të saj fëmijëror. Hashpapi jeton në kushte të skajshme së bashku me babain e saj, në një shtëpi kontejner – edhe pse vështirë mund ta quajmë ashtu; të rrezikuar gjithnjë nga vërshimet dhe nën mëshirën e motit. Është një jetë e thjeshtë, larg komunitetit të zhvilluar, pa teknologjinë fillestare, një jetë që duket të jetë sa e vështirë aq edhe e lumtur. Një tregim prekës, shumë i ndjeshëm, nga sytë e një tetë vjeçare e cila pas humbjes së të ëmës rrezikon të mbetet edhe pa prindin tjetër.
Hashpapi jeton në një botë që ndërthur fantazinë e mendjes së saj fëmijërore me realitetin e vështirë, por edhe të lumtur në anën tjetër. Akoma duke mos kuptuar nocionin e vdekjes ajo mendon që nëna e saj dërgon sinjal ma anë të një fanari deti, derisa bota dhe rendi i saj rrezikohet nga bishat që janë nisur për të marrë të atin e saj nga ajo. E vendosur të marrë situatën në duart e saj dhe për tu përballur me sfidat e jetës, Hashpapi vendos të trimërohet dhe të ndihmoj babin e saj duke bërë çmos për të. Edhe pse arrin të shijoj jetën e lumtur dhe të zhvilluar, ajo vendos të kthehet aty ku e ka vendin, aty ku ndihej e lumtur dhe pranë më të dashurve të tyre, së bashku me pjesëtarët e tjerë të komunitetit, atyre që nuk i frikësohen vërshimeve dhe egërsisë së natyrës.
Filmi arrin të kryqëzoj disa tema në një film. Dashuria e një të miture ndaj prindërve dhe anasjelltas; koncepti i saj për jetën; mendja e saj e turbulluar dhe e qartësuar në të njëjtën kohë nga fantazia; rëndësia dhe kuptimi i nocionit të komunitetit, lagjes, fqinjësisë; injoranca e burokracisë për shtresat më të ulëta të popullsisë – janë disa nga çështjet që sipas mendimit tim arrin të ndërlidhen në këtë film pothuajse të përkryer duke pasur parasysh të involvuarit në këtë projekt.
Edhe pse skenari i bazuar në librin e Lucy Alibar puna e kryer në skenar është për çdo lëvdatë. Megjithatë regjia arrin në një nivel edhe më të lartë falë punës së Benh Zeitlin i cili debuton me plotë sukses me këtë film si regjisor. Në aspektin e regjisë filmi duket të jetë i përkryer në shumë nivele, dhe ka pak hapësirë për të kritikuar dhe gjetur gabime. Nominimi për Oskar nuk do të ishte mbivlerësim për punën e Benh Zeitlin.
E nominimi për Oskar do të ishte ‘detyrë’ e Akademisë për nëntë vjeçaren Quvenzhane Wallis. Tashmë e nominuar në dhjetëra festivale dhe ndarëse të shpërblimeve, Vallis ka qenë e përkryer duke pasur parasysh moshën dhe përvojën e saj në aktrim – nuk ka asnjë orë aktrimi apo ushtrimesh para këtij filmi. Për rolin në film është, Wallis kishte qenë e detyruar të gënjente për moshën pasi nevojitej të ishte 6 vjeç për audicione, si dhe kishte mposhtur mbi 4000 konkurrentë tjerë. Thjesht ajo ishte e MAHNITSHME.
Nëse Haley Seenfeldt ka merituar të nominohej në vitin 2011 për rol dytësor, atëherë nuk dyshoj që ky nder do ti takonte edhe Quvenzhane. Aktimi i saj ka marrë lëvdata në të gjithë festivalet e shfaqur, derisa së bashku me punën e Zeitlin, të dy kanë arritur të fitojnë çmimin Grand Jury në Sundance, dhe Camera d’Or në Festivalin e Filmit në Kanë.
Për mendimin tim, Beasts of the Southern Wild është ndër filmat më të mirë të vitit, dhe ndoshta edhe më gjatë. Gjithashtu jam i ngazëllyer për karrierën në fillim të Benh Zeitlin dhe Quvenzhane Vallis. Ua sugjeroj të shikoni nëse jeni fansa të filmave të zhanrit dramë dhe filma më artistik se sa argëtues.
Dhe patjetër shkarkoni (në mënyrë legale kuptohet J) soundtrack, muzikën që shfaqet përgjatë filmit. Është parajsë për veshin dhe shpirtin.
Luan Morina
Kritik për TV&Film