Andy Samberg ka qenë njëri ndër aktorët e preferuar kur kisha filluar të shikoja Saturday Night Live, në fund të 2000tave. Sidomos mbresëlënëse ka qenë pjesa e këngëve të adaptuara me The Lonely Island. Ta shihja në një seri si ‘Cuckoo’, më ka bërë të mendoja që nuk do t’ia dalë pas largimit nga SNL. Dhe kjo ka zgjatur deri në episodin e parë të Brooklyn Nine-Nine.

Kjo komedi ka qenë vendi i përkryer për Andy Samberg, talentin e tij prej një aktori për karaktere ‘mendjelehta’ e ‘të lira’, sikur roli e Jake Peraltas.

Ajo çfarë e ka bërë Brooklyn Nine-Nine, një seri edhe më të mirë ka qenë adaptimi i aktorëve me kalimin e episodeve edhe sezoneve, të cilat janë liruar në karakteret që vazhdimisht i ngjanin ‘lehtësisë’ së Peraltës.

Në fund, i tërë stacioni 99 i departamentit të Policisë së Nju Jorkut, ishte i mbushur me karaktere krejt të ndryshme nga njëri-tjetri, e njëkohësisht të pandashme – Jake me Boyle, Amy me kapitenin Holt, e mbi të gjithë, Hitchcock e Scully. Rosa ishte botë në vete, Gina njashtu për ato sezonet e saja, derisa Terry ende është botë në vete!

Sidomos pas rikthimit në Fox për pjesën e dytë të sezoneve, aktorët dukeshin edhe më të lirë, e edhe skenari ishte më pak i ngurtësuar. Secili episod sillte diçka të çuditshme nga bota e tyre si Jake që vazhdonte të besonte në mirësinë e miqve të tij kriminelë, Boyle me ëndrrat e tij fëmijërore për BFF-llëkun me Jake, Amy e dedikuar për punën dhe rol-modelin e saj, Hitchcock e Scully si dy malazezë që mendonin si të flinin e të hanin më shumë, e kapitenin Holt që provonte ende të mbante nën kontroll këtë stacion.

Ka qenë seri e çoroditur.

Është e pamundshme të gjejmë një komedi ekipore me stacion policor, ku krimineli identifikohet duke kënduar një këngë të Backstreet Boys që në fakt nuk më ka pëlqyer aq shumë kur ishte lansuar, sa më ka pëlqyer versioni i Jake Peraltas. Ka pasur momente ku nuk do të duhej të qeshnim, por kasti e ka bërë punën e tyre, e ka bërë punën e një polici argëtuese.

Karakteret mysafire e bënin këtë seri më atraktive, sidomos Craig Robinson si Doug Judy, e së fundmi John C. McGinley si Frank O’Sullivan. Por, dy më të mirët mbeten për mua Fred Armisen, dhe i mrekullueshmi Bill Hader i cili ka pasur vetëm një episod si zëvendësues i Holtit.

Brooklyn Nine-Nine është kthyer në një komedi ikonë për shkak të karaktereve joserioze, jonormale, të cilat nuk do të përshtateshin në kushte normale në një ambient të tillë. Kur kemi pritur diçka, një kthim 90 shkallësh, ata na kanë dërguar deri në 180 shkallë, duke shtyrë limitet e çorodisë së tyre. Dhe kjo është vërejtur më së miri në dy episodet finale.

Gëzohem që nuk vonuan e të teprohej, por e përfunduan ende kur ishin në formë. Të jem i sinqertë, s’do të më pengonte të shihja 10-12 episode në vit të B99, por nuk është që do të mërzitem. Apo të rikthehem e ta shohë tërë serinë. Nota personale: 4/5