Film i bazuar në tregimin e vërtetë të kidnapimit të kapitenit amerikan Riçard Fillips nga piratët somalez në vitin 2009 dhe shpëtimin e tij nga Forcat e Marinës Amerikane. Ky është përshkrimi zyrtar për temën e filmit ‘Captain Phillips’. Është një tregim i përpunuar në mënyrë të mirë në film. Filmi arrin të përshkruaj një tregim interesant për tu bazuar në temë që kryesisht shfaqet në filmat historik, fantastiko-shkencor.
Filmi është paksa i gjatë, një temë që bëhet e kotë nganjëherë dhe më qejf do të bëje ‘fast-forward’. Regjia e skenari janë të mira. Kemi detaje që nuk do të ishin aq të nevojshme për neve si shikues, dhe në anën tjetër detaje që do të duhej të ishin aty. Disa nga detajet dytësore, kryesisht ato në fillim të filmit nuk ofrojnë lidhjen e mjaftueshme emocionale me pjesën kryesore të filmit. E kuptoj që ato janë aty si një lloj hyrjeje për temën e filmit, por mjaftojnë rreshtat e IMDB-së për të kuptuar temën. Dhe kur e dimë se çfarë ndodh në film atëherë gjithë ato ‘rreth-rrotullime’ në fillim janë të panevojshme dhe thjeshtë na mbajnë larg ngjarjes.
Pjesa e fundit, që do ta quaja edhe si ‘Kidnapimi-2’ është aty ku zhvillohet krejt ngjarja. Këtu më në fund shohim kapitenin Fillips në një luftë për mbijetesë duke humbur gjithë atë gjakftohtësinë që ka në pjesën më të madhe të filmit. Kjo gjendje portretizohet në mënyrë perfektë nga Tom Hanks. Ai nuk bën asgjë nga ajo që nuk jemi mësuar ta shohim nëpër hit-filmat e kaluar. Si gjithnjë ai mishërohet me karakterin që portretizon dhe ofron maksimumin që do të mund të bënte një aktor si ai, dhe ndoshta askush tjetër.
Aktrimi i Hanks është i përkryer, por më ka pëlqyer shumë edhe Barkhad Abdi. Si amator në botën e filmi, Abdi ofron një performancë të shkëlqyeshme, më shumë se që do ta prisje nga një aktor pa përvojë në skenë. të dy kanë një harmoni të mirë në skenë përkundër portretizimit të karaktereve të ndryshme. Karakteri i Abdi, neve si shikues nga vë në mëdyshje për qëndrimin që duhet të kemi ndaj tij. Shpesh herë na vendos në dyshime për simpatinë apo urrejtjen që duhet të ndjenim nga tij. Në njërën anë kemi një terrorist që kidnapon një ekupiazh, por në të njëjtën kohë kemi një kidnapues hezitues që duket se është pishman, dhe në krah kah djallin që e shtyn të vazhdoj me misionin. Sidoqoftë të dy, edhe Hanks edhe Abdi bëjnë punë të mirë.
Filmi në përgjithësi është film i mirë, pak më i gjatë se që duhej, herë-herë i kotë, por mirë i realizuar, sidomos pjesët e fundit.
Nota personale: 8/10
You must be logged in to post a comment.