Të vetmet gjëra që ‘bën’ të bëhen tatuazhe, për mua, janë gjërat që nuk mund t’i mbajmë në mend!
Për këtë arsye, Leonardi, i cili ka humbur aftësinë për të kujtuar gjërat e fundit në një aksident, i cili e ka lënë të vdekur gruan e tij, mundohet të kujtojë detajet pas këtij aksidenti, që të hakmerret ndaj dorasit, duke bërë tatuazhe, fotografuar me polaroid, e mbajtur shënime.
Është film tipik i Christopher Nolan, i cili bën edhe regjinë edhe skenarin, duke e bërë ‘film Nolanesk’, i cili bazohet në një tregim të shkurtër të vëllait të tij, Jonathan Nolan. Më ka pëlqyer një komentim rreth këtij filmi që e kam lexuar më parë:
‘ky film i bën gjëra ilegale trurit tuaj, gjëra që në disa vende mund të konsiderohen ilegale’.
Dhe, ashtu mund ta konsiderojmë.
Ne futemi në kokën e Leonardit, derisa provojmë të lidhim momentet që i kujtohen derisa provojmë të arrijmë tek caku. Disa e shohin si film të ‘mbrapshtë’ dhe me të drejtë. Por, nuk është një ‘mbrapshti’ lineare pasi asnjë skenë nuk zgjatë më shumë se 10-15 minuta. Dhe pas çdo skene të këtillë, ne ‘resetohemi’ në fillim, dhe nisim të mbledhim detaje të reja që na shfaqen gjatë misionit për të kuptuar të vërtetën.
Guy Pearce është madhështor në këtë film. I jashtëzakonshëm.
Carrie-Anne Moss, Joe Pantoliano, e edhe Mark Boone Junior kryejnë punën e tyre goxha mirë. Megjithatë, gjithçka ka të bëjë me karakterin e Pearce.
Si shumë filma psikologjik të Nolan(ëve), edhe ky duhet të shihet dy-tri herë nëse dëshironi të kuptoni, ose së paku të afroheni tek një kuptim i filmit, e perceptimi filozofik është krejt punë tjetër. Paçi fat në këtë drejtim!
Një film neo-noir, që na mbanë bardhë e zi skenën, ashtu siç janë ëndrrat tona, e na ngjyroset vetëm në momentin kur e kuptojmë të vërtetën, e vërtetë e cila e mbyll historinë e cila na njëson me karakterin kryesor, por na le të vetmuar duke peshuar veten dhe vendimet e besimet tona, është filmi më ‘Nolanesk’ deri më sot. Ndoshta. Nota personale: 5/5