Para ‘Matrix’ për mua ka qenë Xhon Matriks, një agjent special i pensionuar, pjesë e një trupe elitare që pas pensionimit ka vendosur të jetoj në një shtëpi të mbyllur në pyll, me të bijën e tij Xhenin.

Kur kolegët e tij fillojnë të vritet nga një trup kriminelësh, atij i sillet një gardë për ta mbrojtur nga fati i njëjtë, por që dështon. I kidnapojnë të bijën, dhe e detyrojnë që të kryejë një vrasje politike, një grushtet në një ishull anonim.

Ndonëse pajtohet fillimisht, Arnoldi bën çfarë Arnoldi din të bëjë!

Që nga ikja prej aeroplanit, që është ndër skenat më të ‘qarta’ për një fëmijë, dhe një të rritur, tek largimi i karriges së veturës, rrokullisja e kabinës së telefonit, ndjekja me veturë, dhe pastaj pjesa kryesore e menysë së aksionit në tentim të shpëtimit të vajzës së tij, është klasë superiore e filmave aksion!

Është aksion klasik, nuk tëhollohet ngjarja me shaka bajate, nuk ka nevojë për ‘cullakhane’, as për CGI. Është aventurë aksion i pastër, një i çmendur të cilin s’do e ndalojë asgjë të shpëtojë të bijën e tij.

E krejt kjo aventurë shoqërohet me një tingull të këndshëm që na përcjellë gjatë tërë filmit, pa tekst, pa ndryshime, pa gjë!

Arnold Schwarzenneger vjen në rolin kryesor të Xhon Matriksit, e bija është Alyssa Milano 12 vjeçare, që do të më thyej zemrën vite më vonë në ‘Charmed’ nëpër seri të ndryshme, kolegia e Xhonit është Rae Dawn Chong, të tjerët janë viktima!

Dhjetë a njëzet herë e kam parë, dhe prapë më kënaq sikur herën e parë që e kam shikuar. E kjo ishte gjatë të ‘90tave, kur me ardhjen e antenave satelitore, ishin shtuar mundësitë për të parë më shumë filma, dhe për shkak se ishin vetëm dy orë programi televiziv në shqip, filmat në gjuhë të huaja më së lehti të kuptuar nga një fëmijë ishin ata aksion, dhe sigurisht ata komik me Bud Spencer në Kabel eins.

Ndër më të mirët e kësaj periudhe është ‘Commando’ i Arnold Schwarzennegerit. Klasik personal, i paharrueshëm, legjendar. Nota personale: 5/5