Kemi dëgjuar shpeshherë të përmendet ‘Pushim mendor’ nga puna, për të lehtësuar ngarkesën psikike që na shtohet nëpër vendet tona të punës, për shkak të orarit pothuajse 24/7 falë emailave e rrjeteve sociale, por edhe vet jetës ‘moderne’ teknologjike në përgjithësi.
Një term i ri që është përhapur është ‘High Functioning Anxiety/Depression’.
Ky term, kjo ‘diagnozë’, ani pse nuk ekziston në termet mjekësore, i përshkruan më shumë ata që anksiozitetin e depresionin e përkthejnë në punë të tepruar. Më thjesht, është një metodë tjetër për tu përballur me depresionin dhe anksiozitetin e vazhdueshëm.
Mbilodhja
Ndonëse kam qenë i diagnostikuar me Anksiozitet të përgjithshëm, dhe depresion të zbutur para më shumë se 7 viteve, dhe gjatë kësaj kohe në periudha të ndryshme më është dashur të marr terapi të ndryshme, për asnjë ditë, nuk kam qenë i lirë nga puna.
Përkundrazi, më është dashur të bëj edhe punë dytësore për të përmbushur nevojat dhe kryer obligimet e një qytetari të këtij vendi.
Dhe krejt kjo, derisa përbrenda anksioziteti e më rrallë edhe depresionin, më gërryenin mendjen e shpirtin.
Më shumë punë
Një punë kryesore. Edhe një punë dytësore. Marrim edhe një projekt për kohën e mbetur. Diçka vullnetare. Uh, edhe bamirësi.
Gjithçka.
Pse?
Për dy arsye:
- Një punë më shumë, do të thoshte një pagë më shumë, e rrjedhimisht më shumë siguri, dhe mundësi për të marr një pushim më afatgjatë e për tu marr me mendjen time.
Një projekt interesant do të thoshte mundësi për të siguruar të hyra në të ardhmen e largët, dhe rrjedhimisht më shumë pushim e kohe për të pushuar mendjen e lodhur.
Një punë vullnetare, një projekt bamirësie, ndoshta do të më mundësonte të ndjehem shpirtërisht më mirë e më rehat, më i kënaqur me veten. Rrjedhimisht, do të më ndihmonte të jem më i qetë në mendje e të merrem me problemet e mira psiqike.
- Sa më pak kohë të lirë, për Zotin. Sa më pak kohë të lirë. Çdo minutë e lirë do të thoshte më shumë kohë për mendjen, për kokën, për mendimet e mija për të bredhur e shkruar skenarët më të rrezikshëm që veçse kishin filluar vite më parë dhe tani isha në rrugën e ferrit.
Zhytja në punë, qoftë edhe duke sikur s’do të sillte gjë, ishte më mirë se koha e lirë e cila do të mundonte edhe më shumë psikiken. Zaten, shumë veta fajësojnë kohën e lirë e ‘kotësinë’ në ‘lindjen’ e sëmundjeve psikike. Prandaj, ‘s’ka kohë për pushim’. Çfarëdo angazhimi kryen punë.
Gjeneza
Derisa kam lexuar që GAD e depresionin mund të kenë bazën në ADN e të kenë edhe një mundësi trashëgimie, kur mendoj të kaluarën tonë në këtë vend – ku rrezikohej jeta jote dhe e më të dashurve tuaj çdo ditë që kalonte, ngjashëm si puna e të hyrat e tyre. Dhe ndonëse në adoleshencë e para ishte larguar, e dyta vijonte, bashkë me pasigurinë ekonomike, sociale, e një jetë të kaluar nën zhurmën e agregateve e kërcënimeve për prishje të paqes vazhdimisht, duke rrezikuar kthimin e të parës në një mënyrë a tjetrën, disi të kthente në pikën 0, veçse tash ishe më i pjekur për të kuptuar rrezikun e njëmendtë.
Sikur sot, e di momentin e vendimit që do të më shkaktonte ‘shterjen’ e parë, i cili vendim ishte marr bazuar në idenë time për mirësinë e shoqërisë. E di pikën 0, të cilën e kisha mësuar shumë vite më vonë.
Kurrë ma
Ideja është që të mos përsërisim gabimet e së kaluarës.
Rrjedhimisht, angazhimi i tepërt, në disa punë e projekte, shterja psikike e fizike më kishte shtyrë matanë shkëmbit duke më hedhur në humnerë, nga e cila ende nuk kam dalë, ndonëse jam afruar disa herë tek maja.
Për këtë arsye, çdo herë kur ndjehem që po kthehem në atë pikë të depresionit, e shterjes psikike, lë punët, lë miqtë, lë projektet, dhe mbyllem në vete.
Njëjtë kishte ndodhur edhe gjatë vitit të kaluar, kur krejt pasiguria e pandemisë, dhe punët shtesë që më ishin ngarkuar, më kishin bërë të përjetoj edhe një shterje psiko-fizike, e cila në fund të vitit të kaluar, e në fillim të këtij viti, u pasua me një periudhë relativisht të këndshme.
Si çdo gjë e ndrydhur në thellësi, edhe lodhja, mostrajtimi i anksiozitetit e depresionit, del me të madhe. Sa më shumë e shtrydh, aq më fuqishëm do shpërthejë.
Fundi
Një punë dytësore. Pastaj një punë tjetër.
Dy projekte. Edhe një projekt.
Një nga një, binin sikur domino.
Një miqësi. Edhe një tjetër. Dhe pastaj tjerat… Më shumë se miqësitë.
Gjithçka kishte filluar të zbrazej, të rrënohej, sikur po hiqja barrën nga koka, dhe kësaj radhe nuk mjaftonte rruajtja e kokës për ‘ta lehtësuar’.
Ditë kur dëshiroja të ‘galavitesha’ në shtrat, të mos lëvizja, të mos flisja, të mos haja, të mos ekzistoja. Të zhdukesha në kohë dhe të zgjohesha disa vite më herët. Nja 20. Apo më vonë. Apo kurrë.
Të mos isha.
Pas disa minutave përfundonte kjo.
Vishesha, kryeja rutinën. Vazhdoja të bëja ato që duhej të bëja. Derisa përbrenda… nuk di, nuk mund ta përshkruaj. S’do të mundem. S’do të mundeni, ani pse shumë nga ju keni ndje diçka të ngjashme.
Euro2020
Në mesin e gjërave nga të cilat kisha heqë dorë ishte edhe gazetaria sportive. Përfshirë arsye tjera. Gjatë Euro2020, vendosa të provoj diçka më individuale – pa obligime, i pavarur.
Plani fillestar ishin kolumnet, artikujt, dhe podcasti ditor. E para dhe e fundit, nga 21 të dyja.
Rezultati?
Nga e para i bëra 17, nga e dyta as 7.
Isha në fund të djegies, dhe kisha heqë dorë nga shumëçka.
Medikamentet më shtynin shpesh të flija para se të përfundonin ndeshjet e orës 9 në mbrëmje. Ka pasur raste kur as pjesën e parë s’mund ta përfundoja. Për të qenë më korrekt, nevojitej ta shihja të nesërmen, e të bëja ato çfarë duheshin.
Dhe ndeshja shikohet lehtë. Të gjesh arsyen, të gjesh fjalët, të bësh analizën, derisa vet truri yt është i përzier, është e rëndë sa ferri.
Mbi të gjitha ky ishte një obligim ‘për qejf’, sa për të testuar ndoshta vetveten.
Paramendojeni punët tjera obliguese, të cilat medoemos duhet t’i kryesh.
Duhet të vishesh – që për dikë në depresion është ferri i parë, të ‘ndreqesh’, të buzëqeshësh e të qeshësh, të jesh ‘konstruktiv’, e mbi të gjitha produktiv. Krejt këto derisa trupi yt ose është duke sabotuar çdo veprim konstruktiv, ose është i përgjumur sikur një ari dimri.
Të punosh me depresion e anksiozitet të ndrydhur, vërtetë është një superfuqi. Një funksionim mbinjerëzor.
Zgjidhja?
Të mbijetojmë ndoshta.
Të funksionojmë si supermena, nëpër krejt këtë ferr. Por, dikur, edhe HFA po digjej. Çfarë të bëjmë kur depresioni të pushton edhe funksionimin ditor?