Që ky është film më ndryshe se të tjerët për super-heronjtë vërehet qysh në intron e filmit. Pos që është e veçantë, mënyra e përshkrimit të filmit në këtë intro mund të jetë ndoshta edhe pjesa më e bukur e Deadpool, edhe pse ka konkurrence nga disa skena e pjesë tjera përgjatë filmit. Ironia që bëhet me vet zhanrin e filmave dhe klishetë e këtij zhanri që thumbohen fund e krye të këtij filmi i japin një shije joshëse qysh pa parë momentet e para të filmit.

E ndër momentet e para të filmit është kur Deadpool prek kamerën për të larguar çamçakëzin nga dritarja e taksisë. Thyerja e murit të katërt, komunikimi i Deadpool me neve si shikues është një veçori tjetër që personalisht më ka bërë ta pëlqej këtë film edhe më tepër. Tashti, kur bashkojmë thyerjen e murit të katërt me ironinë që përdor derisa thumbon jo veç zhanrin por edhe producentët e Marvelin përfitohet një situatë komike që nuk mund ta hasim në filma tjerë të ngjashëm.

Vet karakteri i Deadpool është ndryshe nga filmat e tjerë për super-heronjë. Tregimi, jo edhe aq. Ky ish operativ i forcave speciale është shndërruar në mercenar si protestë ndaj përgjithësimit dhe bajatizmit të tregimeve të super-heronjve. Tashti në tentim hakmarrës dhe njëherë mision shpëtimtar për të dashurën e tij, Deadpool na ofron aftësitë e tija speciale në këtë zanat të ri të tij.

Ryan Reynolds është ndoshta aktori më i përshtatshëm për kësisoj heroi. Ai bën punë të mahnitshme duke sjell një karakter ironik në masë të madhe, i cili në të njëjtën kohë është edhe bajagi romantik. Morena Baccarin tashmë është adaptuar me kësisoj universe në Gotham. Nuk më dëshpëron aspak edhe pse nuk ka diçka kushedi sa të rëndësishme në film. TJ Miller ka qenë pjesë kthjellëse e filmit. pjesa tjetër e kastit është në nivel. Ngjashëm si puna pas kamerave. Më ka pëlqyer zymtësia e motit që shfaqet përgjatë pjesës më të madhe të filmit. Sikur imiton një Gotham me mot pak më të çelët. Tim Miller bën punë të mirë si regjisor në debutimin e tij, e pres të shoh më shumë jo vetëm nga ai, por edhe nga tërë skuadra para e pas kamerave në vazhdimin e dytë që pritet të kthehet vitin e ardhshëm.

Në përgjithësi Deadpool sjell freski në botën e super-heronjve. Qasja thumbuese dhe ironia e karakterit kryesor e bën këtë film të veçantë. Nota personale: 5/5